Numri i fëmijëve që janë vrarë në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, ka arritur një nivel “të paprecedentë”, paralajmëroi të enjten Fondi i Fëmijëve i OKB-së (UNICEF). Rreth 83 fëmijë janë vrarë në Bregun Perëndimor në 12 javët e fundit, ka thënë UNICEF në një deklaratë. Një raport i veçantë i OKB-së i botuar të enjten dënoi atë që tha se ishte një “përkeqësim i shpejtë” i të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor dhe u kërkoi autoriteteve izraelite t’i jepnin fund dhunës kundër popullatës palestineze atje. Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR) ka thënë se rreth 4,785 palestinezë janë arrestuar dhe 300 të vrarë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga 7 tetori.
Një delegacion i Hamasit do të jetë në Kajro të premten për të dhënë “vëzhgimet” e tij në lidhje me një propozim egjiptian për një armëpushim që do t’i jepte fund luftës në Gaza, ka thënë një zyrtar i Hamasit. Ky takim vjen pasi Egjipti zyrtar tha se ka paraqitur një propozim kornizë për t’i dhënë fund konfliktit që përfshin tri faza që përfundojnë me një armëpushim dhe tha se është në pritje të përgjigjeve mbi planin.
Hamasi është “i hapur ndaj çdo ideje apo propozimi për një ndërprerje të plotë dhe përfundimtare të agresionit kundër popullit tonë në Rripin e Gazës”, ka thënë Osama Hamdan, zyrtar i grupit militant palestinez, në një konferencë për shtyp të enjten. Sipas tij, Hamasi nuk është i interesuar për një “ndërprerje të pjesshme ose të përkohshme të agresionit”, duke shtuar se pengjet e mbetura të mbajtura në Gaza do të lirohen vetëm pasi të zbatohet një armëpushim i përhershëm.
Benjamin Netanyahu ka anuluar një takim të kabinetit të luftës që ishte planifikuar për të enjten mbrëma për të diskutuar planin e Izraelit për Gazën pas përfundimit të luftës me Hamasin. Kryeministri izraelit thuhet se ka refuzuar kërkesat e zyrtarëve të sigurisë për të bërë plane për kontrollin e Gazës pas përfundimit të luftës me Hamasin.
Gjithsej 21,320 palestinezë janë vrarë dhe 55,603 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori, ka thënë të enjten një zëdhënës nga ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi.
Të paktën 20 persona u vranë dhe 55 u plagosën nga një sulm ajror izraelit në Rafah në Rripin jugor të Gazës të enjten, sipas një zëdhënësi të ministrisë së shëndetësisë të Gazës. Incidenti ndodhi pranë spitalit të Kuvajtit, raportoi Al Jazeera, duke shtuar se ai kishte “rrafshuar plotësisht” një banesë të mbushur me njerëz të zhvendosur./The Guardian