A mund ta zgjidhë Brukseli konfliktin për dinarin serb?

Daniel Server: Pretendimi i palës serbe për ‘spastrim etnik’ pas ndalimit të dinarit në Kosovë nuk qëndron, por Prishtina duhet të sigurojë përfaqësimin e interesave të gjithë qytetarëve.

Një tjetër tentativë për ndërmjetësim nga Brukseli për çështjen Kosovë – Serbi, në pikun e debateve mbi heqjen e dinarit serb nga transaksionet bankare në Kosovë. Brukseli i druhet përshkallëzimit të marrëdhënies mes dy vendeve dhe për këtë arsye ka ftuar përfaqësues të dy qeverive më 27 shkurtpër të biseduar rreth çështjes. Por deri tani, ftesën e BE-së për datën 27 shkurt, duket se nuk e ka konfirmuar asnjëra nga palët. “Kemi thënë se i kemi ftuar palët, por nuk kemi konfirmuar asnjë mbajtje takimi deri tani” – thotë për Deutsche Welle Peter Stano, zëdhënësi i shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borell.

Profesori amerikan, Daniel Server, ekspert i Ballkanit, thotë se takimet e niveleve të larta me ndërmjetësim të Brukselit zakonisht nuk kanë prodhuar rezultate.

Dinari nuk është pjesë e procesit të dialogut

DW kontaktoi edhe kabinetin e kryeministrit Kurti, i cili sqaroi se Kurti do të ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar në ato data dhe rekomandoi të kontaktohej kabineti i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, njëkohësisht edhe kryenegociator idialogut me Serbinë. Sipas zëdhënësit të zëvendëskryeministrit Bislimi: “Rregullorja e BQK për operacionet me para të gatshme (apo ajo që po tentojnë ta quajnë ‘çështja e dinarit’) nuk është pjesë e procesit të dialogut. Në këtë takim të thirrur, kryenegociatori apo dikush nga ekipi negociues nuk do të shkojë, meqë siç thamë, kjo nuk bën pjesë në procesin e dialogut. Për pjesën tjetër, nëse shkon ndonjë përfaqësues tjetër apo kush do të jetë ai, do të mbaheni të informuar”.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb në kryerjen e veprimeve financiare në Kosovë ngjalli reagime të shumta në komunat me shumicë serbe në Kosovë
Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb në kryerjen e veprimeve financiare në Kosovë ngjalli reagime të shumta në komunat me shumicë serbe në KosovëFotografi: STRINGER/AFP/Getty Images

Ndërsa nga pala serbe, presidenti Vuçiç e kërkoi një takim të tillë publikisht pak ditë më parë, gjatë një daljeje për mediat nga Konferenca e Sigurisë në Mynih. “Më duket se BE nuk mundet ose nuk do të ndërmarrë veprime kundrejt Prishtinës, e cila jo vetëm zbaton masa të njëanshme por edhe kërkon spastrim etnik të serbëve në Kosovë, me çdo formë të mundshme” – tha Vuçiç para gazetarëve në Mynih. Daniel Serwer, drejtues i departamentit të Menaxhimit të Konflikteve në universitetin “John Hopkins”, njëkohësisht me eksperiencë të gjatë në studimin e konflikteve në Ballkan, thotë për Deutsche Welle se “Asnjë nga këto takimet e nivelit të lartë mes palëve, nuk kanë pasur dhe aq rezultat”.

Ndalimi i dinarit serb

Serwer e kupton vendimin e BQK-së si pengesë të përdorimit të dinarit serb vetëm për kryerjen e transaksioneve. “Kjo më tingëllon si praktikë që ndiqet në shumë shtete. Në Shtetet e Bashkuara, me sa unë kuptoj, e vetmja monedhë e ligjshme është dollari” – thotë ai për DW.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e konsideron përdorimin e dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë, si një mjet që furnizon trafiqet e paligjshme dhe grupet kriminale në veri. Pas vendimit Shtetet e Bashkuara dhe BE i kërkuan qeverisë së Kosovës që t’u jepte qytetarëve serbë me tepër kohë për t’u mësuar me realitetin e ri dhe i kujtuan kryeministrit se mund të humbiste shumë nga partneriteti strategjik. I drejtpërdrejtë dhe i ashpër, ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier, tha se qeveria Kurti kishte ndërmarrë veprime të njëanshmepa u konsultuar me to dhe se “situata ka ndikuar ka marrëdhënien mes dy vendeve”. Ndikimi në marrëdhëniet dypalëshe nuk u pranua nga qeveria e Kosovës, megjithashtë Banka Qendrore e Kosovës doli me një tjetër vendim pak ditë pas të parit, që tha se “kishin hartuar një tjetër plan me veprime shtesë, të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet e tjera financiare”.

Që pas daljes së rregullores për ndalimin e dinarit serb në veprimet financiare, qeveria e Serbisë e ka konsideruar vendimin si spastrim etnik ndaj serbëve në Kosovë, pretendim i cili u artikulua edhe gjatë seancës së jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, ku Serbia dhe Rusia artikuluan njësoj rreth çështjes së dinarit. “Pretendimi për ‘spastrim etnik’ është i pavërtetë. Por është e rëndësishme për Prishtinën që të sigurojë sa më mirë që të mundet që interesat e të gjithë qytetarëve të saj të jenë të mirëpërfaqësuara. Këtë duket se e mundëson një periudhë tranzitore, e ndjekur më pas me rregullimet e nevojshme” – analizon Serwer.

Përdorimi i dinarit serb në kryerjen e veprimeve financiare në Kosovë u ndalua me ligj që nga 1 shkurti. Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës ngjalli reagime të shumta në komunat me shumicë serbe në Kosovë, Serbi dhe komunitetin ndërkombëtar.