Deputeti Shaip Kamberi sot përmes një postimi në facebook ka njoftuar se është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Në takim kanë marr pjesë Rahim Salihu personin e autorizuar të Listës zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, si dhe kryetari i Kë shillit Kombëtar Nevzad Lutfiu.
Sipas Kamberit gjatë takimit janë diskutuar e kërkuar realizimi i të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ja edhe postimi i tij i plotë :
Bashkë me Nevzadin, kryetarin e Këshillit kombëtar shqiptar dhe Rahimin, personin e autorizuar të Listës zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, në kuadër të konsultimeve për themelimin e qeverisë, takuam presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidentit Vuçiq i prezentuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7 pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qëndror por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal.
Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë.
Rasti i mjekëve të diskriminuar të Preshevës kërkon zgjidhje urgjente, njejtë sikur integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në polici.
Me presidentin Vuçiq diskutuam edhe për nevojën e privatizimit të Banjës së Bujanocit, rritjes së investimeve në nivel lokal dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë.
Diplomat kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga to varet edhe avancimi i pozitës së shqiptarëve të Luginës dhe sigurimi i një perspektive më të mirë për të gjithë.
Institucionet shtetërore në nivel lokal duhet të hapin dyert për integrimin e shqiptarëve. Mbyllja e tyre nënkupton përjashtim të popullësisë shumicë në Luginë të Preshevës.