Sipas Fichajes.net, Barcelona do të tentojë t’i shesë katër lojtarë në verë: Sergi Roberto, Marcos Alonso, Oriol Romeu dhe Raphinha, për të ristrukturuar skuadrën e tyre.
Blaugranasit po kërkojnë të bëjnë disa nënshkrime dhe t’i japin skuadrës një pamje të re këtë verë, por duhet të shesë për ta bërë këtë duke pasur parasysh pozicionin e tyre të pasigurt financiar.
Kontrata e kapitenit Sergi Roberto skadon këtë verë dhe sipas raportimeve, ai nuk ka marrë një ofertë të re nga klubi. Roberto ka luajtur 363 ndeshje për Barcelonën që nga dalja e tij nga akademia e klubit.
Ish-mbrojtësi i Chelseat, Marcos Alonso gjithashtu ka të ngjarë të largohet nga Barca këtë verë, sipas raportimit nga Fichajes. Alonso nuk ka arritur të çimentojë vendin e tij në formacionin fillestar të skuadrës këtë sezon, me vetëm katër ndeshje në La Liga. Ka zëra se ai do t’i bashkohet Atletico Madridit.
Rikthimi i Oriol Romeut në Camp Nou nuk ka shkuar sipas planit pasi mesfushori nuk ka lënë ende një përshtypje të madhe me paraqitjet e tij. Ai ka luajtur 20 ndeshje në La Liga këtë sezon, duke filluar gjysmën e atyre në stol, trasnmeton Telegrafi.
Megjithë talentin e tij dhe pritshmëritë e mëdha që erdhën me lëvizjen e tij nga Leeds, Raphinha ka rënë poshtë planeve të Barcelonës. Anësori brazilian është lënë në hije nga Lamine Yamal që nga ngritja e 16-vjeçarit në ekipin e parë. Me kontratën e tij që skadon në vitin 2027, Raphinha mund të sjellë tarifën më të lartë të transferimit për klubin këtë verë.