Qeveria urdhëron që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka thënë se i kanë thënë Agjencionit Kadastral që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Çfarë kontestohet?

Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.

Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.

Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.

Ata, po ashtu, kujtojnë se “në kohën e Milloshevqit”, nga viti 1991 deri më 1999, janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.