Bien kërkesat për azil nga shqiptarët

Ndonëse me ritme më të ngadalta, emigracioni nuk ka ndalur as në vitin 2023. Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se për 12 muajt e 2023-ës kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Në krahasim me 2022, aplikimet për azil kanë shënuar rënie prej 30%.\

Numri më i lartë i aplikimeve gjatë 2023 u shënua në janar, me 930 për të zbritur më pas, duke arritur në gusht në 635 aplikime. Në pjesën e dytë të vitit u shënua sërish rigjallërim, duke kulmuar në nëntor me 880 aplikime. Më pas dhjetori solli sërish rënie të tyre, në vetëm 550 të tilla, niveli më i ulët i vitit.

Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, me 3530 aplikime, apo 38% të totalit. Gjermania renditet e dyta, me 2225 aplikime apo 24% e totalit.

Në Itali janë drejtuar 1525 persona, ose 16% e totalit, ndërsa Greqia ka administruar 10% të totalit të aplikimeve.

Aplikimet për azil në Evropë

Sipas Eurostat, në dhjetor e vitit të kaluar 77,755 qytetarë jo të BE-së aplikuan për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare në vende e Bashkimit Evropian, një rënie prej 3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2022 (80,540).

Kishte gjithashtu 5,595 aplikime përsëritëse, që përfaqëson një rënie prej 12% krahasuar me dhjetorin 2022 (6,365).

Sirianët, turqit dhe afganët mbeten grupet më të mëdha të azilkërkuesve

Sirianët mbetën grupi më i madh i njerëzve që kërkonin azil në muajin dhjetor (13 945 aplikantë për herë të parë), ndjekur nga turqit (7 710), afganët (6 055), venezuelianët (4 780) dhe kolumbianët (4 105).

Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Greqia përbëjnë 79% të të gjithë aplikantëve për azil për herë të parë

Gjermania (23 020), Franca (11 435), Spanja (10 750), Italia (10 160) dhe Greqia (6 260) vijuan të merrnin numrin më të madh të aplikimeve për azil për herë të parë, duke zënë 79% të të gjithë azilkërkuesve.

Në dhjetor 2023, totali i BE-së i aplikimeve për herë të parë për azil ishte 17.3 për 100 mijë njerëz. Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2023), normat më të larta të aplikimeve të regjistruar për herë të parë në dhjetor 2023 u regjistruan në Qipro (111.2) dhe Greqi (60.2).

2 315 të mitur të pashoqëruar që aplikojnë për azil në vendet e BE-së

2 315 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE në fund të vitit 2023, ku shumica vinin nga Siria (775) dhe Afganistani (375). Vendet e BE-së që morën numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar ishin Gjermania (740), Holanda (450), Greqia (245), Belgjika (205) dhe Spanja (205).