Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se pret që Millosh Vuçeviq, të cilin e ka mandatuar për kryeministër, të marrë mbështetjen në Parlament për formimin e Qeverisë së re, e cila sipas tij, do të ketë para vetes detyra të mëdha e të vështira.
Millosh Vuçeviq, ish-ministër i Mbrojtjes dhe udhëheqës i subjektit në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS), u mandatua për formimin e Qeverisë së re serbe një ditë më parë nga Vuçiqi.
“Ne jemi në një pozicion specifik sepse jemi të vetmit që kemi statusin e një shteti që është neutral ushtarakisht në këtë pjesë të rajonit. Ne gjithmonë jemi gati të mbrojmë veten, por nuk e kërcënojmë askënd”, tha Vuçiq më 31 mars, gjatë një vizite te Forcat e Armatosura të Serbisë në aeroportin ushtarak në Batajnicë.
Vuçeviq mandatohet për formimin e Qeverisë së re serbe
Ai paralajmëroi për furnizim me avionë luftarakë, armë të artilerisë dhe raketahedhës.
Vuçiq tha se po në ushtri po bëhen investime si kurrë më arë dhe njoftoi se dronët e prodhuar brenda vendit do të testohen në poligonin në Peshter më 20 prill.
Mandatari për kryeministër, Vuçeviq, tha se ushtria do të ketë mbështetjen maksimale në Qeverinë e re, dhe së bashku me Vuçiqin, thanë se ushtria është garantuese e mbijetesës së sovranitetit dhe pavarësisë së Serbisë.
Në këtë vizitë ishte i pranishëm edhe presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i cili tha se një Serbi e fuqishme nënkupton siguri për serbët në këtë entitet, të cilët “po e shohin Serbinë”.
“Ne jemi të shtyrë në një strukturë artificiale të quajtur Forcat e Armatosura të Bosnje e Hercegovinës”, tha Dodik.
Lidhur me deklaratën e Kurtit për padi
Ndërkaq, Vuçiq foli edhe për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas liderit serb, ka kërcënuar Serbinë se do ta padisë për gjenocid dhe tani do që të përdorë institucionet e Këshillit të Evropës për të iniciuar padi ndaj Serbisë.
Më 30 mars, Kurti deklaroi se autoritetet po përgatiten që Serbia të akuzohet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Kjo është pjesë e një sulmi masiv për sulme dhe presione ndaj popullit serb dhe Serbisë. Ne do t’iu rezistojmë atyre dhe do të fitojmë”, tha Vuçiq.
Kurti: Po përgatitemi që Serbia të akuzohet për krime lufte
Ai tha se një sjellje e tij iu mundësua Kurtit për shkak se në një komitet në Këshillin e Evropës u miratua një raport i raportueses, Dora Bakoyannis, që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Vuçiq tha se Kurti deri më tani ka pritur që një shtet tjetër të ngreh padi për gjenocid sepse Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk mund të paraqesë padi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
“Dikush tjetër mund ta bëjë këtë në emër të tij, gjë që është një çështje e vështirë politike”, tha Vuçiq, duke shtuar se tani Kurti dëshiron të përdorë institucionet e Këshillit të Evropës për të paditur Serbinë.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut.
Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë – bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.