Autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.
Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë (mbi 600.000 euro), rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.
Aksionin policor në veri, zyrtarë të lartë në Serbi e dënuan ashpër, duke e cilësuar “të paligjshëm”. Nga Beogradi pati thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të ndalë veprimet nga Kosova, që sipas tyre, po “kërcënojnë mbijetesën” e serbëve në Kosovë.
Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Në njoftim të Policisë së Kosovës u tha se aksioni kaloi pa ndonjë problem dhe incident.
“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, tha policia.
Gjatë këtij aksioni, policia ka marrë në pyetje pesë persona, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se edhe një person aktualisht është duke u intervistuar.
Radio Evropa e Lirë nga informacionet në terren konfirmoi se personi që po intervistohet nga policia është Igor Radiq, drejtor i Bankës Postare Kursimore të Serbisë në Kosovë.