Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja është diskutuar në takimin e ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian më 27 maj, në kohën kur Spanja njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Sipas burimeve të “Radios Evropa e Lirë” për këtë ka pasur grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.
Spanja vazhdon të mos e njohë Kosovën. Ky shtet tashmë e njeh Palestinën, për të cilën njohje ka thënë se situata e Palestinës ndryshon prej asaj të Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës kanë thënë për REL-in se pozicioni i këtij shteti karshi Kosovës mbetet i pandryshuar.
“Situata e Palestinës është shumë ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk cenon integritetin territorial të Izraelit, pasi ky territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit. Vendimi i Spanjës për ta njohur shtetin e Palestinës synon të mbështesë të drejtën ndërkombëtare, parimet e Kartës së OKB-së dhe Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës.
Spanja, Norvegjia e Irlanda iu bashkuan së fundmi më shumë se 140 shteteve prej 193 vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që e njohin Palestinën. Në anën tjetër, Kosova njihet prej më shumë se 110 shteteve. /KOHA.net/Spektri