Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë dy ndeshje në shtator ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Përgatitjet për dy ndeshjet e para në Grupin B1 do të nisin të hënën më 2 shtator, teksa trajneri Sylvinho ka publikuar sot (e premte) listën me 24 lojtarë të grumbulluar.
Përsa i përket portës janë Thomas Strakosha, Alen Sherri dhe Simon Simoni. Në mbrojtje rikthehet futbollisti i Partizanit, Andi Hadroj. Emrat e tjerë që përbëjnë repartin e prapavijës janë Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli dhe Enea Mihaj.
Befasi e madhe është mos-ftesa e sulmuesit nga Kosova, Mirlind Daku, i cili po kalon formë të lartë me Rubin Kazanin, ndërsa në listë nuk gjenden as Ernest Muçi, Myrtu Uzuni, Keidi Bare dhe Arlind Ajeti.
Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa grupi i lojtarëve pritet të jetë i plotë të hënën më 2 shtator.
Seancat stërvitore do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të premten kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Çekisë, aty ky më 7 shtator do të luhet ndeshja e parë në Grupin B1 ndaj Ukrainës, në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45.