Qytetarët e Kukësit kanë paralajmëruar protestë paqësore në pikën kufitare në Morinë, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për shtrengim masash.
Protesa pritet të nis sot (e hënë) në orën 10:00).
Kjo protestë është thirrur me qëllim të heqjes së pengesës për lëvizje të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët nuk janë të vaksinuar me të tri dozat e vaksinës kundër COVID-19, siç e parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës, që askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimi me të tri dozat e vaksinës.
“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinës”.
“Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës”.
“Kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar Rakip Matmuja – organizator i kësaj proteste.
Edhe Maqedonia e Veriut i ka kërkuar Kosovës lehtësira për qytetarët e saj gjatë kalimit të kufirit mes dy shteteve, respektivisht rishqyrtimin e vendimit që parasheh hyrjen në Kosovë me tri doza të vaksinave kundër COVID-19 apo dy doza dhe test negativ PCR.
Kjo është bërë e ditur të dielën, më 23 janar, nga ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Verit, Bekim Sali, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij kosovar, Rifat Latifi.
Në një postim në rrjetin social Facebook, ministri Sali tha se “ka mirëkuptim për vendimin e Qeverisë kosovare, që ka ardhur duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në shtetin fqinj, si dhe kapacitetet e tyre për përballjen me këtë valë të virusit”.
Por, në të njëjtën kohë ai tha se i përcolli ministrit Latifi, reagimet e shumta të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për pengesën që ka shkaktuar vendimi në lëvizjen e tyre drejt Kosovës.
Masat e reja në Kosovë kanë hyrë në fuqi më 23 janar./Telegrafi/spektri