Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se duke u bazuar në paralajmërimin e Institutit Hidrometeorologjik dhe njoftimin zyrtar të pranuar nga Ministria e Punëve të Brendshme – Sektori për Situata Emergjente, priten reshje të mëdha shiu nga data 9 deri më 11 shtator 2024, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje dhe situata të tjera të rrezikshme në territorin e komunës.
Sipas parashikimeve, pritet që sasia e reshjeve të arrijë deri në 100 mm në disa zona, duke sjellë përmbytje të papritura, probleme në qarkullim, rreziqe për ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëme të mëdha materiale. Përveç reshjeve, janë paralajmëruar edhe erëra të forta dhe stuhi, të cilat mund të përkeqësojnë situatën.
Sinani bën thirrje u bën thirrje qytetarëve që të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre dhe të familjeve të tyre. – “Ju lusim që të ndërmerrni masat e nevojshme për sigurinë tuaj dhe të familjeve tuaja: kontrolloni sistemet e kullimit dhe bllokimet e mundshme të ujërave të shiut, shmangni lëvizjet e panevojshme, sidomos në zona të rrezikuara nga përmbytjet, ndiqni njoftimet dhe këshillat zyrtare nga shërbimet emergjente.”
Shërbimet komunale do të jenë të aktivizuara për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë aty ku është e nevojshme. Komuna do të jetë gjithashtu në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Çdo informacion shtesë do të shpërndahet me kohë përmes kanaleve zyrtare të komunës dhe qytetarëve u kërkohet të jenë të kujdesshëm dhe të informuar.
“Ju lutemi të qëndroni të informuar dhe të kujdesshëm në këto ditë të vështira. Çdo informacion shtesë do të shpërndahet me kohë përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të komunës.” – shkruan Sinani.
Postimi i plotë në facebook:
https://www.facebook.com/kryetare