Ardita Sinani vjen me një reagim ndaj qeverisë qendrore të Serbisë për buxhetin e Komunës së Preshevës

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar ndaj politkës së qeverisë qendrore të Serbisë, e cila po vazhdon të injorojë kërkesat themelore të qytetarëve të Komunës së Preshevës. Sinani tha se kjo është e dukshme më së shumti në mungesën e rritjes adekuate të transfertave të rregullta nga buxheti shtetëror në nivel lokal.

Pavarësisht rritjes së kostove të jetës dhe rritjes të inflacionit, fondet që ndahen për këtë komunë janë pothuajse të pandryshueshme, e cila është pengesë për zhvillimin ekonomik të komunës si dhe pengesë në shërbimet publike që i ofrohen qytetarëve.

Sa i përket Trupit Koordinues, të të tri komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk ka reaguar për nevojat e këtyre komunave, sidomos për investimet në infrastrukturë.

“Që nga viti 2020, shuma totale e transfertave të dedikuara nuk është rritur në përputhje me nevojat reale. Ndërkohë që në pjesë të tjera të Serbisë ka pasur rritje të investimeve publike dhe mbështetje financiare nga Qeveria e Republikës së Serbisë, rajoni ynë ka mbetur i lënë pas dore.”

Rritja e pagave institucionale kanë shënuar 40% në rritje, që nga viti 2020 deri në vitin 2024, të cilat nuk janë ndarë proporcionalisht në fondet për Komunën e Preshevës. “Në kushte të inflacionit të lartë, ruajtja e këtij niveli financimi do të thotë që burimet tona nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur nevojat reale të komunitetit lokal.” 

“Kjo sjell pyetjen: A është lënia pas dore e komunës së Preshevës pjesë e një politike më të gjerë të qeverisë qendrore? A po e pengon qëllimisht shteti përparimin e këtij rajoni të Serbisë?” – shkruan Sinani

Ajo më tutje bëri thirrje publike qeverisë së Republikës së Serbisë që ta rishikojë politikën e saj dhe të rrisë urgjentisht transfertat për komunën, si dhe kërkoi nga Trupi Koordinues që t’i shpejtojë aktivitetet për përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetje e zhvillimit.

“Qytetarët e komunës së Preshevës meritojnë mbështetje dhe trajtim të barabartë si pjesët e tjera të vendit. Padrejtësia që po i bëhet rajonit tonë, shqiptarëve të Luginës, duhet të korrigjohet sa më shpejt.”

Postimi i plotë në facebook: