Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për shërbimin e rregullt ushtarak për 75 ditë.
“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë këtë vendim”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë së gradimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Kroacia fqinje po ashtu ka njoftuar se duke nisur nga 1 janari i vitit 2025 do të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar të vitit 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.
Ndryshe, vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro. /Telegrafi/