Pas përfundimit të ndeshjeve të ciklit të ri të Ligës së Kombeve, ku ishin të angazhuara përfaqësueset e vendeve evropiane, sot rikthehet futbolli edhe në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Java e 5-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut në futboll, do të jetë e gjitha me epiqendër në kryeqytetin e Shkupit, në lagjen e Çairit, aty ku luhet derbi shqiptar, mes dy ekipeve më të mira në vend, Shkupit dhe Shkëndijës.
Si zakonisht kjo përballje sjell numër të madh të tifozëve dhe padyshim që edhe lojë mjaft atraktive. Sezonin e ri e ka filluar në mënyrë më të mirë skuadra kuqezi nga Tetova, Shkëndija, andaj në këtë ndeshje futet edhe si favorite. Nga ana tjetër Shkupi ka luajtur “ftohtë-nxehtë” dhe në këtë përballje vjen pas disfatës që pësoi nga Sileksi në Kratovë.
Për këtë ndeshje, dy afrimet e e fundit të Shkëndijës, Liridon Latifi dhe Adamu Alhassan kanë të drejtë loje. Ndërkohë për arsye lëndimi te Shkëndija mungon Ronaldo Webster. Derbin në Çair do ta gjykojë Aleksandar Grujoski nga Kërçova.