Dragan Nikolliq nga Leposaviqi shpreson se do të mund të kthehet në Policinë e Kosovës, të cilën, siç thotë ai, e la “nën presion” në nëntor të vitit 2022 pas dy dekadash punë në këtë institucion.
“Lajmi që duhet të largoheshim nga institucionet atëherë më goditi shumë, ende sot nuk mund të pajtohem me këtë”, thotë Nikoliq.
Vuçiq më 13 shtator kërkoi kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe organet gjyqësore, si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, në mënyrë që në krye të tyre të vijnë serbë.
“Viktima të presioneve dhe politikës”
Dragan Nikolliq ishte një nga katër serbët nga Kosova që autoritetet serbe i arrestuan në prill të vitit 2023, duke i akuzuar se ishin pjesë e një “grupi të organizuar kriminal që synonte ndryshimin e dhunshëm të pushtetit, përkatësisht rrëzimin e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”.
Ai shton se rikthimin në Policinë e Kosovës e dëshirojnë edhe kolegë të tij, dhe konsideron se serbët në Kosovë janë “viktima të presioneve dhe të politikës së dikujt”.
Çfarë tjetër ka paralajmëruar apo kërkuar Vuçiqi?
Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur disa institucione të Serbisë, me arsyetimin se funksionimi i tyre cenon kushtetutshmërinë e Kosovës. Disa prej tyre janë: Organet e Përkohshme Komunale, Fondi për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Banka e Kursimeve Postare dhe zyrat e Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Ai deklaroi se institucionet serbe në Kosovë “nuk do të shuhen, as nuk do të mbyllen”, por që “me qëllim të zbutjes së veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit kosovar”, në vendet Rudnicë dhe Ribariq në Serbi, afër kufirit me Kosovën, do të hapet një zyrë ku serbët do të kenë qasje në shërbime të mbrojtjes sociale dhe do të ofrohen shërbime shtetërore dhe administrative që, sipas tij, janë esenciale për qytetarët.
Gjithashtu, një nga masat është që territori i Kosovës do të shpallet “zonë e veçantë për mbrojtje sociale”, me çka do të sigurohet ndihmë financiare për serbët e papunë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008.
“Me para nuk mund të na kompensohet dëmi”
Zdravko nga Leposaviqi thotë se masat dhe kërkesat e paraqitura nga presidenti i Serbisë janë joreale dhe se me para nuk mund të kompensohet “dëmi” shkaktuar anëtarëve të komunitetit serb.
Me “dëm” ai nënkupton mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet, sërish me thirrjen e Listës Serbe.
“Kjo është si kur e gjuan topin në mur dhe ai të kthehet”, shprehet Zdravko për REL.
“I gjithë ky është mashtrim, në të cilin askush nuk beson më”, shton ai, duke shprehur bindjen se të gjitha ngjarjet e fundit janë “pjesë e një marrëveshjeje” ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që veriu të integrohet plotësisht në sistemin e Kosovës.
Çfarë thonë serbët në jug të Ibrit?
“Fjalë boshe”.
Kështu i komenton 38-vjeçarja Ivana nga komuna e Graçanicës masat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për anëtarët e komunitetit serb në Kosovë.
Ajo është e punësuar në një nga institucionet arsimore serbe në territorin e kësaj komune me shumicë serbe në jug të Ibrit. Në një deklaratë për Radio Evropa e Lirë, ajo vlerëson se Beogradi zyrtar mund t’i ofrojë komunitetit serb vetëm ndihmë financiare, pasi “mbrojtja institucionale po zhduket ngadalë”.
Në periudhën pas luftës, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku jetojnë anëtarët e komunitetit serb, përfshirë të gjitha institucionet shëndetësore dhe arsimore. Përndryshe, të punësuarit në shëndetësi dhe arsim marrin të ashtuquajturën shtesë kosovare, përkatësisht 50 për qind shtesë mbi pagën bazë.
Ndërsa, pensionistja Lilana Llaziq beson se këto masa sociale do të kenë shumë rëndësi për të rinjtë e papunë në Kosovë.
“Më mirë të marrin diçka sesa asgjë. Unë i besoj Vuçiqit, e dëgjova me vëmendje dhe besoj se do ta kemi më mirë”, thotë ajo.
“Masa të rreme ose të pamjaftueshme”
Tridhjetëvjeçari Nikolla nga Graçanica, i cili nuk dëshiron që t’i publikohen të dhënat e tjera të tij personale, frikësohet se masat e Serbisë janë vetëm “të rreme” dhe se po çojnë drejt mbylljes së të gjitha institucioneve serbe në Kosovë.
Zvonko Mihajloviq nga Shtërpca beson se Serbia e ka detyrim t’i mbrojë interesat e serbëve në Kosovë, dhe se masat dhe kërkesat e presidentit të Serbisë janë të pamjaftueshme.
“Fokusi duhet të shkojë në një drejtim tjetër. Është e kotë të flasim për ndihmën financiare për serbët që jetojnë në Kosovë, por çfarë do të bëjmë me ata që janë detyruar të largohen nga Kosova (personat e zhvendosur) dhe duan të kthehen?! Sipas mendimit tim, kjo është përparësi”, thotë ai.
Momçilo Illiq, mësues matematike në pension dhe ish-drejtor i një shkolle fillore në komunën e Prizrenit që funksiononte sipas sistemit serb, beson se pa ndihmë financiare nga Serbia, serbët nuk mund të mbijetojnë në Kosovë.
“Duhet të jemi të durueshëm. Jemi në një situatë ku po diskriminohemi (nga autoritetet kosovare), kjo diskriminim ndihet në çdo hap”, thotë Illiq.
Për të, një formë “diskriminimi” është edhe fakti që autoritetet kosovare ndaluan përdorimin e dinarit në fillim të vitit, duke e bërë të pamundur që ai të tërheqë pensionin e tij që merr nga buxheti i Serbisë.
Stojanoviq: Populli po paguan çmimin e politikave të gabuara
Branimir Stojanoviq nga Lëvizja Popullore Serbe vlerëson se masat që Serbia ka marrë, janë kryesisht “një kërkesë” ndaj autoriteteve të Kosovës që të lejojnë kthimin e serbëve në institucione, dhe se “asgjë nuk do të ndryshojë në terren”.
Sipas tij, serbëve në Kosovë në këtë moment u nevojitet një vetorganizim më i mirë për t’i zgjidhur problemet “e shkaktuara nga Lista Serbe”.
Ai thotë se Lista Serbe duhet të mbajë përgjegjësi, pasi ka marrë vendime që i kanë sjellë serbët e Kosovës në një “pozitë të palakmueshme”.
Lista Serbe nuk është prononcuar lidhur me kërkesat e Vuçiqit.
Sa u përket masave sociale, Stojanoviq thotë se mbijetesa në thelb nuk është çështje parash, por “gjendje shpirtërore e popullit tonë, që është krejtësisht i demoralizuar dhe i zhgënjyer me kushtet në të cilat jeton”