Ndalimi i shamisë në shkolla ngjall polemika për të drejtat dhe rregullat

Bartja e shamisë, që ndryshe njihet edhe si hixhab, është bërë shkak që vajza me inicialet A.D. të mos ndjekë mësimet në vitin e fundit të gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë.

Autoritetet e shkollës e kanë larguar atë nga procesi mësimor qysh në fillim të vitit të ri shkollor, më 2 shtator.

Prokuroria Themelore e Pejës është duke hetuar nëse ky veprim përmban ose jo elemente të veprës penale: shkelje e të drejtave të njeriut.

Dyshime për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut shpreh Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Por, autoritetet e gjimnazit “Bedri Pejani” dhe ato komunale të Pejës, përgjegjëse për arsimin, thonë se vendimi për largimin e 18-vjeçares është marrë në përputhje me një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI).

Për Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe Qendrën Kosovare për Paqe, ky udhëzim është keqinterpretuar dhe keqpërdorur nga autoritetet arsimore në Pejë dhe, rrjedhimisht, sipas tyre, ato i kanë shkelur të drejtat e 18-vjeçares.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron ligjet në vend, thonë se Udhëzimi Administrativ 6/2014 i MASHT-it – në fuqi tash e dhjetë vjet – krijon “pasiguri juridike” dhe “mundësi për veprime arbitrare”.

E, vetë MASHTI hesht përballë kërkesave për komente./Radio Evropa e Lirë/