Vendimi i Prishtinës zyrtare për t`iu bindur kërkesave të Berlinit për heqjen e masës së ndalimit të mallrave serbe, është shpërblyer.
Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s, që këtë vit kryesohet nga Serbia, vendosi që Kosova nga sot e tutje në këtë organizatë të tregtisë së lirë të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, dhe me emrin e saj, por me fusnotë, dhe jo më si deri tani nga përfaqësues të misionit të OKB-së, UNMIK.
“Përfundimisht pjesëmarrja e UNMIK është larguar nga CEFTA dhe kjo vjen si rezultat i përpjekjeve të shumta, konsistencës dhe përkushtimit të Kosovës për të rregulluar pozicionin e saj në këtë mekanizëm dhe nga sot në takimet e Komiteteve të përbashkëta Kosova do të përfaqësohet nga institucionet e saj dhe pa prezencën e UNMIK-ut”, konfirmoi ministrja e Industrisë.
Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në qeverinë e Kosovës, Rozeta Hajdari. Nga zyra e kryeministrit kryeministrit Albin Kurti, vendimi i komitetit të përbashkët të CEFTA nën kryesimin e Beogradit u perkthye si tregues i faktit që Serbia po e pranon gradualisht realitetin e ri në Kosovë. “Ka pasur shumë presidenca CEFTA por nuk ishtë larguar, e kjo tregon se është momenti i fundit që të jetojmë në realitet në kuptimin që Serbia e pranon çdo herë e më shumë pavarësinë e Kosovës, shtetin e pavarur dhe e njeh realitetin.
Mendoj që ky është një rezultat kolektiv i qeverisë dhe një ditë shumë e mirë me rëndësi për Procesin e Berlinit ku pas 5 ditë atje do të arrijmë marrëveshje të re”, deklaroi këshilltari i kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj. Ndryshimet në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore CEFTA, pasuan vendimin e dy dite më parë të qeverisë së Kosovës që të heqë masën e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia.
Përfaqësimin e Kosovës me emrin e saj në CEFTA e vlerësoi pozitivisht Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila tha se “me zhbllokimin e CEFTA-s është duke u afruar Ballkani Perëndimor me njëri-tjetrin”./Top Channel/