Diaspora shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore

Një pjesë e konsiderueshme e atyre që ishin angazhuar në lëvizje politike në Shqipëri e Kosovë dhe ata që patën shërbyer në pozita qeveritare të okupatorëve, u larguan fill pas Luftës së Dytë Botërore në mënyra të ndryshme. Disa nga ata vazhduan rezistencën ndaj regjimit të ri diktatorial dhe disa qëndruan për një kohë në ilegalitet, ndërkohë që kaluan ilegalisht në Greqi e Jugosllavi.

Njëri nga ata ishte Said Kryeziu, i cili u arrestua nga komunistët në Kosovë së bashku me majorin Simcox dhe Llazar Fundon. Arrestimi i tyre ndodhi më 20 shtator të vitit 1944, në Dobërdej të Malësisë. Majori Simcox, ishte i atashuari britanik tek Lëvizja Kryeziu. Njeriu që i arrestoi ishte Ismet Shaqiri, por në atë grup ishte edhe Fadil Hoxha, Shefqet Peçi etj. Pas arrestimit, Simcoxi pati zhvilluar një bisedë me Fadil Hoxhën, duke kritikuar qëndrimin e tij dhe duke i thënë që çdo kërcënim ndaj vëllezërve Kryeziu do të konsiderohej krim ndaj Britanisë së Madhe. Ato armë që Gani Kryeziu ua kishte shpërndarë komunistëve të Kosovës, me urdhrin e britanikëve u kthyen kundër tyre.

Kur u arrestuan këto personalitete, komunistët u thanë atyre që i kërkonte gjeneral Dali Ndreu që të takoheshin, por kjo nuk ishte e vërteta, sepse urdhri ishte nga Enver Hoxha që ta takonte Said Kryeziun në Berat, ku edhe mbahej Plenumi i parë i Partisë Komuniste Shqiptare. Në anën tjetër, ai kishte dërguar urdhër përmes Lirie Gegës, që Llazar Fundon ta mbajnë andej, ta torturojnë e pastaj ta pushkatojnë. Kështu edhe ndodhi. Llazar Fundon e lidhën dhe e tërhoqën zvarrë mbas kalit të Shefqet Peçit. Kur mbërrijtën në Kolesjan të Lumës, më saktë në shtëpinë e Miftar Spahisë, Fundon e torturuan brutalisht, pastaj e pushkatuan. Kur Said Kryeziu mbërriti në Berat, u takua me Enver Hoxhën dhe Julian Amery thotë që Enver Hoxha i ofroi postin e nënkryetarit të shtetit, Said Kryeziu e refuzoi këtë post duke i thënë Enver Hoxhës: “Ti më vrave mikun dhe këshilltarin, Llazar Fundo, dhe si mund të bashkëpunoj me ty”? Më vonë, anglezët e morën Said Kryeziun me aeroplan ushtarak nga Berati dhe e dërguan në Bari të Italisë. Said Kryeziu ishte i vetmi njeri, për të cilin anglezët ndërhynë për ta shpëtuar nga komunistët.

Komiteti kombëtar “Shqipnija e Lirë”, u themelua në Paris më 26 gusht të vitit 1949 nga Mithat Frashëri, Abaz Kupi, Said Kryeziu, Zef Pali dhe Nuçi Kota. Këta ishin edhe Këshilli Ekzekutiv i Komitetit. Në Komitetin “Shqipnija e Lirë”, morën pjesë tri parti politike: Balli Kombëtar, Lëvizja e Legalitetit dhe Lidhja Kombëtare Shqiptare e Bujqëve dhe Katundarëve. Komiteti konsiderohej si qeveri në mërgim nga aleatët anglo-amerikanë. Kur Komiteti u zgjerua në vitin 1953, Blloku Kombëtar Indipendent prapë nuk u pranua si parti në Komitet, por u pranuan vetëm disa nga ata si Ismail Vërlaci, Ndue Gjomarkaj e disa të tjerë.