Çështja shqiptare dhe paqja e Evropës më 1880

The New York Times, maj 1880

Mendoj se kutia është hapur; shqiptarët kanë shpallur pavarësinë, e gjithë popullsia ka rrëmbyer armët për t’i rezistuar aneksimit, dhe trupat turke të dërguara për të ruajtur rendin mes shqiptarëve, kanë kaluar në shërbim të Lidhjes Shqiptare.

Kjo është situata në këtë moment. Është ajo që çdokush që kishte sadopak njohuri për këtë vend kishte pritur se do të ndodhte një ditë, që nga momenti i firmosjes së marrëveshjes së Shën Stefanit, dhe nëse shpërthimi u vonua deri në 1880, në vend që të ndodhte në 1879, kjo është thjesht sepse shtyrja në kohë u voliste pikëpamjeve të nxitësve së saj.
Unë kam bërë thjesht thirrje për vëmendje ndaj Lidhjes Shqiptare, e cila lindi në prag të luftës së vitit 1877. Bërthama e saj ishin të gjithë elementet e pakënaqura të Perandorisë Otomane. Objektivi i saj ishte fillimisht, rezistenca ndaj aneksimit prej Perandorisë Ruse. Pati kryengritje në Maqedoni, konflikte bandash të izoluara në Hajduk, ndonjëherë me ushtarë turq, më shpesh me ushtarë rusë. Asnjëherë nuk ishin fort të rëndësishme, por të mjaftueshme për të mbajtur gjallë acarimin.

Kongresi i Berlinit u mblodh dhe “zgjidhi”, për kënaqësinë e vet, të gjithë çështjen lindore. Pretendimet e grekëve për një shtyrje të kufijve për të cilët nuk kishin shtënë kurrë as edhe një armë, as kishin shpenzuar qoftë edhe një dhrahmi, dhe ato të hebrenjve të pasur rumunë për të drejtën e nënshtetësisë, u hodhën poshtë nga Waddingtoni i madh, dhe u mbështetën nga kolegët e tij.

Por, Porta e Lartë nuk e ka kurrë me ngut, për asgjë. Politika fabiane ka patur gjithmonë sukses në Kostandinopojë, dhe nuk kishte arsye të supozohej se nuk do të kishte sukses edhe këtë herë, dhe Osmanllinjtë rrinin e vështronin me vetëkënaqësi, të bindur se rrethanat do të tregonin se sa budallenj janë diplomatët perëndimorë.

Porta e Lartë nuk kishte një plan të fiksuar për këtë shtyrje në kohë. Ajo nuk ka asnjëherë një plan të fiksuar. Gjithçka që ajo bën, në çdo kohë, është që të shtyjë sa më shumë orën e sqarimit dhe të vërtetës, me parimin se askush nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja.

Kongresi ka vendosur t’u japë dy rajone malazezëve: Plavën dhe Gucinë, të cilat edhe pse të pavlera në çdo kuptim tjetër, kanë një vlerë të madhe strategjikisht. Ndërkohë që as Gucia dhe as Plava nuk gjenden në ndonjë hartë të zakonshme, supozohet që diplomatët as nuk e kishin idenë për pozicionin e tyre gjeografik, dhe ua dhuruan ato bijve të Maleve të Zeza, siç do të kishin dhuruar cilatdo rajone të ngjashme, për miqtë e ambasadorëve të plotfuqishëm rusë.

Ju do të keni Bosnjën dhe Hercegovinën – me po kaq ferra dhe barishte – dhe trupat ushtarake si tuajat nuk kanë arsye t’ia kenë frikën një ushtrie si ajo që mund të mbledhë Princi Nikita.

Këtu situata nis të bëhet e përzierë. A ishte Austria që donte të parandalonte pushtimin e dy provincave, që më pas mund të bëheshin të rrezikshme për operacionet e saj, apo ishte Italia që, e zemëruar prej përjashtimit që i ishte bërë nga lista e atyre që kishin marrë kompensime në Lindje, donte një pretekst për të ndërhyrë në trans-Adriatik? Asnjë qenie njerëzore, sado e mençur, nuk mund t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve.

Porta ka qëllimet më të mira, shkroi ambasadori, ajo dëshiron që të pajtohet me dëshirat e Fuqive. Kështu dukej. Ajo tregoi një zell të madh, aq të madh sa që pa u tharë mirë boja e marrëveshjes, Hafiz Pasha largoi të gjitha trupat e tij, duke lejuar forcat e Lidhjes të futeshin dhe të zinin pozicione, me qëllim që kur të mbërrinin forcat malazeze, ato do e gjejnë vendin në zotërim jo të shtatë, por një legjioni djajsh, të cilët propozojnë të qëndrojnë aty sa të duan.