Vulin: Presidenti im e admiron Rusinë – Vuçiq dhe Putin janë miq

Zëvendëskryeministri i qeverisë serbe, Aleksandar Vulin ndodhet në Kazan, ku po zhvillohet samiti i BRICS i organizuar nga Vladimir Putin.

Dhe me këtë rast, siç raportojnë mediat e huaja, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe homologu i tij rus janë miq.

“Serbia shpreh shpresën se do të ketë mundësinë të bëhet anëtare e BRICS”, ka thënë Vulin, sipas të cilit, bëhet fjalë për “një organizatë që ofron liri më të madhe dhe nuk kërkon ndryshimin e sistemit politik ose anëtarësimin në regjimet e sanksioneve”.
Ai theksoi se Serbia ndihet e mirëpritur në mesin e vendeve mike të BRICS, të cilat, siç tha ai, “ofrojnë lirinë e zgjedhjes”.

Vulin gjithashtu ka thënë se presidenti i Serbisë është përkrahës i madh i miqësisë me Rusinë dhe se e respekton historinë dhe kulturën e saj.

Ai ka shtuar se Vuçiq planifikon të marrë pjesë në festimin e 80 vjetorit të fitores mbi nazizmin në Moskë dhe se pret një takim mes presidentit Vuçiq dhe presidentit Putin në Moskë. /Telegrafi/