Takimi në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve – çka thanë Lajçak, Bislimi e Petroviq?

Të enjten në Bruksel u mbajt takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në mes të kryenegociatorëve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Për dallim nga organizimet e muajve të fundit, kësaj radhe u zhvillua një takim trepalësh, edhe pse nuk pati ndonjë përparim.

Lajçak përmes një postimi në platformën X, ka njoftuar se është diskutuar për Marrëveshjen e Ohrit dhe po ashtu janë diskutuar një sërë çështjesh të rëndësishme që burojnë nga marrëveshjet e mëparshme.
Ai gjithashtu bëri të ditur se janë dakorduar për hapat e ardhshëm të procesit të dialogut.

“Prita sot në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë. Folëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ende nuk ka filluar së zbatuari në thelb. Diskutuam gjithashtu një sërë çështjesh të rëndësishme që rrjedhin nga marrëveshjet e kaluara dhe ramë dakord për hapat e ardhshëm”, ka shkruar Lajçak në platformën X.

Në një komunikatë për media Qeveria e Kosovës tha se kryenegociatori Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes në tërësi dhe pa vonesa, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.

​Ndërkaq, në prononcimin e tij pas takimit, Bislimi, tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Në pikën rreth ecjes përpara në normalizimin e raporteve. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, ishte shprehur Bislimi.

Por, ai theksoi Serbia duhet së pari ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Brnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes, për t’u cilësuar si e sinqertë përpjekja e Vuçeviqit, transmeton Evropa e Lirë.

Bislimi tha se si kusht, e përsëriti kërkesën e Kosovës që Serbia ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, të cilin e akuzon si përgjegjës të sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit në shtator 2023.

Në lidhje me themelimin e Asociacionit, e cila është ndër detyrat kryesore të Kosovës në këtë marrëveshje, Bislimi tha se vendi i tij nuk do t’iu ikë detyrimeve nëse nënshkruhet Marrëveshja.

Bislimi tha se përjashtuar Marrëveshjen Bazë, në pika të tjera “ka pasur lëvizje”.

Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se gjatë bisedimeve të zhvilluara në Bruksel kanë insistuar në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se kjo është një çështje kyçe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, serbët në veri të vendit po përballen me arrestime të paligjshme dhe veprime të njëanshme, të cilat kanë bërë që një pjesë e tyre të largohen nga ky rajon.

Ai theksoi se Serbia ka treguar konstruktivitet të plotë duke pranuar propozimin e BE-së për një rregullore specifike lidhur me Grupin e Punës dhe Komisionin për Çështjen e Personave të Zhdukur.

Megjithatë, sipas Petkoviqit, Kosova ka bërë disa komente që kanë ngadalësuar këtë proces, kanë raportuar mediat serbe.

“Kosova po tregon se në thelb nuk dëshiron të merret me çështjen e personave të zhdukur” citohet të ketë thënë Petkoviq. /Telegrafi/