Ekspozita me punimet e artistëve të rinj nga Kosova dhe Serbia, e titulluar “MIR is MIRË” është prezantuar në Prizren, duke dëshmuar fuqinë e artit që frymëzon bashkëpunimin, por edhe paraqitjen e një perspektive të re mbi përvojat e përbashkëta.
Veprat e prezantuara në këtë ekspozitë janë realizuar pas shkëmbimeve kulturore në Serbi dhe në Kosovë, me ç’rast në dialog dhe art është gjetur hapësira për ndjeshmëri dhe mirëkuptim.
Ismaili ka sqaruar se në këtë aktivitet janë përfshirë 16 artistë të rinj, që fillimisht kanë qenë në shkëmbim kulturor në Serbi dhe në Kosovë, pastaj gjatë një kolonie të artit kanë realizuar punimet e tyre, të cilat tani janë shpalosur për publikun në Beograd, në Prishtinë dhe në Prizren.
Sipas saj, dashuria për artin ka bashkuar të rinjtë nga Kosova dhe Serbia.
“Arti me të vërtetë i thyen barrierat, që janë krijuar nga shumë situata sidomos ajo politike, ndoshta edhe nga religjioni, nga ndasitë racore, por kultura dhe arti janë ato që bashkojnë”, ka deklaruar Ismaili.
“Për mua ka qenë kënaqësi që të shoqërohem me artistë të rinj nga Kosova dhe Serbia dhe që bashkë të mësojmë për të kaluarën, për konfliktet që e dimë që ekzistojnë, dhe të njihemi me njëri tjetrin si të rinj që kanë interesa të ngjashme, por edhe ti ndajmë përvojat e bukura në Kosovë dhe në Serbi”, ka thënë ajo.
Drenjanin në Prizren ka prezantuar veprën e titulluar “Shtëpi e zezë”, për të cilën është frymëzuar gjatë mësimit për konfliktin në Kosovë.
“Ka qenë e vështirë që të mësoja dhe të dëgjoja për të gjitha ato që kanë ndodhur. Unë e përjetoja me përvojat që i kemi në shtëpitë tona, ku ato gjatë konfliktit bëhen vende të pasigurta ku mund të ndodhin gjëra të këqija, edhe pse më parë kemi qenë fqinj, jemi njohur, etj.”, ka deklaruar ajo.