Një vit më parë në media dhe në mjediset shqiptare, qarkulloi artikulli i revistës Science që e cilësonte shqipen si një gjuhë 6000-vjecare.
Për këtë, por edhe për të lidhur gjetjet e reja shkencore këto vite, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka shtruar me pyetje plot tryezën shkencore ndërkombëtare “Shqipja midis gjuhëve indoeuropiane, origjina dhe lashtësia e saj”.
Mbi 25 studiues e personalitete të rëndësishme të shkencës nga vendi dhe bota kanë mbërritur në Tiranë për këtë debat publik, mes tyre edhe prof. Olav Hackstein, drejtor i Institutit të Gjuhësisë Krahasuese dhe të Albanologjisë pranë Universitetit “Ludwig Maximilian” të Mynihut; prof. Paul Heggarty, prof. Giulio Imberciadori.
Në dy ditë kjo tryezë shkencore pritet të prezantojë të dhëna jo vetëm për gjuhën, por edhe zbulime arkeologjike që lidhen ngushtësisht me gjenetikën në Shqipëri dhe Kosovë, që dëshmojnë se në mijëvjeçarin III para Krishtit fillon procesi i gjatë i etnogjenezës së popullsive ilire në Ballkanin Perëndimor.