Federata e Taekwondos së Kosovës ka reaguar për herë të parë në lidhje me incidentin që ndodhi mes trajnerit Valmir Fetiu dhe vajzës së tij.
Sipas tyre, ndaj trajner Fetiu do të merren masa disiplinore, pasi një veprim i tillë ishte i tepruar.
“Me datë 7-10 nëntor 2024, Federata e Taekwondo-së e Kosovës mori pjesë në Kampionatin Evropian për Kadetë dhe Fëmijë të mbajtur në Tiranë, Shqipëri. Ekipi i Kosovës u përfaqësua nga 12 sportistë të rinj që shfaqën përkushtim, disiplinë dhe aftësi të shkëlqyera në një event evropian kaq të rëndësishëm”, thuhet fillimisht në reagimin e tyre.
Gjatë garës finale të Valina Fetiut kundër përfaqësueses serbe Nina Saviç, ndodhi një incident që përfshiu atë dhe trajnerin e saj, i cili është njëkohësisht edhe babai i Valinës. Federata e Taekwondo-së së Kosovës, në bashkëpunim të plotë me Federatën Evropiane të Taekwondo-së, organizatoren e këtij kampionati, mori masa të menjëhershme për të adresuar incidentin dhe në koordinim të plotë në bazë të statutit dhe rregullores së etikës dhe diciplinës, vendosi pezullimin e trajnerit për një periudhë gjashtëmujore në të gjitha aktivitetet e zyrtare nga Taekwondo-ja Evropiane dhe ajo Botërore.
Duke punuar dhe shpresuar që raste si ky, dhe raste tjera të ngjashme të mos përsëriten më, FTWK dënon ashpër veprime të tilla dhe zotohet se gjithmonë do të marrë masa ndaj këtyre dukurive.
Ndërsa garuesen Valina Fetiu dhe të gjithë sportistët tanë Federata do ti mbeshtesë në të gjitha garat dhe proceset sportive në vijim, dhe jemi të bindur që do sjellin shumë suksese dhe medalje për shtetin tonë, përfundon komunikata e FTK-së. /Telegrafi/