Sherri mes adoleshentëve me një të vdekur në Tiranë, Rama: Po mendojmë ndalimin e TikTok-ut dhe Snapchat-it në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria po mendon të ndalojë përdorimin e TikTok-ut dhe Snapchat-it në Shqipëri.

Rama ka dalë sot në konferencë për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, ku ka folur edhe për vrasjen e 14-vjeçarin në një sherr mes adoleshentëve në afërsi të shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

“I madh e i vogël është tronditur nga vrasja makabre me thikë e një 14-vjeçari nga një adoleshent tjetër. Rrjetet sociale, posaçërisht TikTok-u apo Snapchat-i, thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët që në moshë të vogël. Autoriteti i prindërve dhe mësuesve dhe të gjitha përpjekjet tona në familje dhe shkollë për edukimin e fëmijëve sfidohen nga bota paralele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, asnjë mbrojtje, dhe edukimi e shëndeti mendor i të vegjëlve vihen në pikëpyetje. Të gjithë biem dakord si prindër apo si qytetarë që garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia jonë. Por, nuk janë kaq të thjeshta përgjigjet, shumë shtete po mundohen të vendosin filtra mbrojtës, por pa asnjë rezultat domethënës”, tha Rama.