Buxheti i propozuar për vitin 2025; Kamberi: Vazhdon diskriminimi i pakicave në Serbi

Qeveria e Serbisë ka proceduar në Parlament Ligjin për Buxhetin e vitit 2025, i cili pritet të shqyrtohet në një seancë që fillon të hënën, më 25 nëntor. Një ndër pikat kryesore të kësaj seance do të jetë edhe miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm. Deputeti Shaip Kamberi ka ngritur shqetësimin se buxheti i propozuar për Trupin Koordinues, një organ i cili financon projekte zhvillimore në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, nuk reflekton rritje dhe përkundrazi, pëson ulje reale duke marrë parasysh inflacionin.

Kamberi ka theksuar se për disa vite me radhë, buxheti i Trupit Koordinues nuk ka pasur ngritje të ndjeshme, pavarësisht nevojave të mëdha të kësaj zone. Për vitin 2024, buxheti i këtij institucioni ishte 374 milionë dinarë, ndërsa për vitin 2025 është propozuar një rritje minimale prej vetëm 1 milion dinarësh, duke e çuar në 375 milionë dinarë.

Shqetësimi kryesor i Kamberit qëndron tek ulja reale e fondeve për projekte zhvillimore. Në vitin 2024, 255 milionë dinarë nga ky buxhet ishin të destinuara për projekte zhvillimore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërsa për vitin 2025 janë parashikuar 253 milionë dinarë – një ulje prej 2 milionë dinarësh. Kjo, sipas Kamberit, përkeqëson edhe më tej gjendjen në këto komuna, të cilat janë ndër më të margjinalizuarat në Serbi.

Në një përpjekje për të adresuar këto sfida, Kamberi kishte propozuar në rishikimin e buxhetit për vitin 2024 një rritje prej 120 milionë dinarësh për Trupin Koordinues – 100 milionë për projekte infrastrukturore dhe 20 milionë për subvencionimin e bizneseve të vogla dhe të mesme. Megjithatë, propozimi i tij ishte refuzuar si nga qeveria, ashtu edhe nga parlamenti.

Në procedurën e aprovimit të buxhetit për vitin 2025, Kamberi ka paraqitur një amandament, duke kërkuar rritjen e buxhetit të Trupit Koordinues me 200 milionë dinarë, specifikisht për investime kapitale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Por, ai ka deklaruar se diskriminimi ndaj pakicave nacionale dhe mungesa e një qasjeje të drejtë ndaj nevojave të tyre mbetet evidente edhe në buxhetin e ri.

Kamberi ka sjellë në vëmendje faktin se për Trupin Koordinues janë ndarë 375 milionë dinarë, ndërsa për Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, e cila duhet të kujdeset për 22 pakicat kombëtare që përbëjnë 20% të popullsisë së përgjithshme të Serbisë, janë ndarë vetëm 576 milionë dinarë. Në të kundërt, për Zyrën për Kosovën dhe për nevojat e serbëve në Kosovë, janë parashikuar mbi 17 miliardë dinarë.

Nga ky buxhet prej 17 miliardë dinarësh, 2.5 miliardë janë destinuar për përmirësimin e kushteve të serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë, mbi 1 miliardë për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve banimi dhe mbi 533 milionë për kategori sociale që janë në proces rikthimi në Kosovë.

“17 miliardë dinarë, që përafërsisht janë 150 milionë euro, janë parashikuar për nevojat e pakicës serbe në Kosovë, ndërkohë që të njëjtës Serbi i pengojnë vetëm 1 milion euro që Republika e Kosovës ndan për subvencionimin e bujqësisë në Luginë të Preshevës,” ka thënë Kamberi, duke theksuar se Serbia ka iniciuar procedurë për shpalljen e pavlefshme të konkursit të subvencioneve nga Kosova.

Në fund, Shaip Kamberi theksoi se kjo qasje diskriminuese e Serbisë ndaj pakicave nacionale nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe procesin e saj të integrimit në BE. Detajet rreth amandamentit të propozuar nga ai pritet të publikohen në ditët në vijim.

 

Postimi i plotë në facebook:

https://www.facebook.com/sh.kamberi