Sali Berisha lirohet nga arresti shtëpiak

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është liruar nga masa e arrestit shtëpiak pas një vendimi të fundit të Gjykatës së Posaçme.

Ky vendim u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila vlerësoi se nuk ekzistojnë më kushtet dhe kriteret për zbatimin e kësaj mase sigurie.

Në një prononcim për media, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, deklaroi se me vendimin e sotëm ish-kryeministri është i lirë dhe mbi të nuk ekziston asnjë masë sigurie.
“Mbi bazën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë si një masë që nuk ka as kritere, as kushte për caktimin e saj. Nga sot, Sali Berisha është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij. Nuk ka asnjë masë tjetër sigurimi,” tha Gjokutaj.

Ndërsa masa e “Ndalimit për të dalë jashtë vendit, u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese për shkak të mungesës së proporcionalitetit”.

Mosrespektimi i masës “Detyrim paraqitje” bëri që GJKKO të ashpërsonte masën shtrënguese ndaj Berishës duke e lënë në “Arrest shtëpiak”.

Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, janë marrë të pandehur nga SPAK në lidhje me privatizimin e terreneve sportive të Klubit të Futbollit dhe Klubit Shumësportësh “Partizani”.

Akuza kryesore që rëndon ndaj Berishës është për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”. Ndërsa Malltezi, përveç kësaj, akuzohet edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”. Hetimi, i cili filloi në vitin 2020, përqendrohet në rrethanat e privatizimit të këtyre pronave dhe dyshimet për abuzime gjatë këtij procesi.