Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës që pati javën e kaluar në Sarajevë, ka dhënë një intervistë për mediat boshnjake.
Në një intervistë për televizionin Hayat , Kurti ka folur për nervozizmin në Republikën Serbe për shkak të vizitës së tij duke thënë se nuk e ka menduar për asnjë moment anulimin e kësaj vizite.
Ai ka theksuar se është Serbia ajo e cila së bashku me Moskën mban peng gjithë Ballkanin.
“Në mënyrë identike dhe kjo mund të shihet në të gjitha konferencat ndërkombëtare, Serbia po e mban peng Ballkanin Perëndimor për shkak të Moskës dhe duan që i gjithë rajoni të jetë peng i tyre. Ata mbajnë gjithçka prapa, sepse e dinë se mund të shkaktojnë paqëndrueshmëri dhe duan që ne të gjithë t’i dëgjojmë. Në të njëjtën mënyrë, Republika Serbe dëshiron që BeH të varet nga ajo dhe të jetë peng i saj”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se problemet që ekzistojnë në rajon dhe BeH janë shkaktuar nga regjimet e Aleksandar Vuçiq dhe Milorad Dodik – dy satelitëve të Rusisë.
Duke folur mbi asociacionin e komunave serbe, Kurti tha se kjo është dëshirë e Beogradit të ketë kontroll mbi etnitetin serb në Kosovë, të cilët do të kishin një president të vetin si një Dodik të vogël, duke e bërë Kosovën një shtet jo funksional.
“Ne këtë nuk do ta lejojmë”, ka thënë Kurti duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare gjithnjë e më shumë po e kupton se Serbia dëshiron një gjë të tillë për të krijuar një lloj “Republikë Serbe Light”.
Kurti ka theksuar se serbët përbëjnë vetëm katër për qind të popullsisë në Kosovë dhe jo 40 për qind sikurse pretendon Serbia.
“Më shumë ka shqiptarë në Serbi, nga Subotica deri në Preshevë, se serbë në Kosovë. Ka më shumë shqiptarë në Mal të Zi, sesa serbë në Kosovë”, ka theksuar Kurti./KP/