Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi është futur në Listën e Zezë të SHBA-ve. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, Shtetet e Bashkuara kanë informuar se kanë zgjeruar Listën e Zezë, ndërsa po ndërmarrin veprime për të promovuar përgjegjësinë për autorët e korrupsionit dhe abuzimin e të drejtave të njeriut në mbarë botën, shkruan gazeta KOHA.
Me këtë rast, në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, raporton KOHA.
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa shtohet se Mijallkovi është në Listën e Zezë që në vitin 2022 për korrupsion.
Në Listën e Zezë, siç thuhet në njoftim, janë edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Artan Grubit.