Në kuadër të një operacioni të madh për zbulimin dhe ndjekjen penale të krimeve korruptive, mëngjesin e sotëm, sipas burimeve jozyrtare, pjesëtarët e Policisë Tatimore dhe Drejtorisë së Policisë Kriminale (UKP), me urdhër të Departamentit të Posaçëm për Luftën kundër Korrupsionit të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, kanë hyrë në mbi 50 kompani në qytete të ndryshme të Serbisë për të kontrolluar aktivitetet e tyre financiare dhe operacionale.
Sipas informacioneve të disponueshme, disa nga kompanitë e kontrolluara përfshijnë “Tončev Grupa” nga Nishi, “Fristajler” nga Beogradi, kantinën e verës “Škrbić”, “Grass Garden”, restorantin “Sava Nova Plus”, “Putevi Užice”, “IT Globe”, NBI.N.A.T. DOO Kragujevac, dhe shumë të tjera.
Në këtë moment, nën kontroll të rreptë janë mbi 50 kompani, por sipas burimeve të gazetës “Blic”, kontrollet do të zgjerohen edhe më tej në ditët në vijim në një numër edhe më të madh biznesesh në të gjithë Serbinë.
Policia ka ndërhyrë edhe në kompaninë “Tončev Gradnja” në qytetin e Surdulicës, dhe për detaje të mëtejshme pritet një raport i veçantë.
Ndërkohë, forcat e UKP-së kanë bastisur edhe Odën e Infermierëve dhe Teknikëve Mjekësorë, ku është arrestuar Radmila Ugrica, ish-drejtoresha e kësaj institucioni. Gjatë kontrollit të kryer në shtëpinë e saj, u gjet një kontratë për blerjen e një apartamenti në Greqi.
Më herët, forcat policore kanë arrestuar edhe një bashkëpunëtore të saj, për të cilën detajet mund të lexohen në një lajm të veçantë.
Seria e arrestimeve vazhdon
Kujtojmë se të shtunën, në një operacion të madh policor, u arrestua Dushan Rafailoviq, kryetari i Bordit të Standardeve.
Pas këtij rasti, një tjetër valë arrestimesh ndodhi, ku 15 persona u kapën, mes tyre edhe Dragan Tikiq, i njohur si “sherifi lokal” i Vojvodinës, i dyshuar për mashtrime tatimore që kanë shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit.