Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e para në kualifikueset e Kupës së Botës 2026, me përballje ndaj Anglisë dhe Andorrës. Kuqezinjtë synojnë të tregojnë forcën e tyre përballë një prej ekipeve më të fuqishme në botë, ndërsa në sfidën e dytë do të kërkojnë fitoren për të nisur këtë rrugëtim me pikë të plota.
Në konferencën për shtyp të mbajtur sot, Arbër Hoxha dhe Julian Shehu ndanë emocionet e tyre për këtë moment të rëndësishëm, duke shprehur vendosmërinë e ekipit për të luftuar deri në fund.
Arbër Hoxha:
Për ndeshjen ndaj Anglisë: “Një sfidë shumë e vështirë, duke pasur parasysh që Anglia ka lojtarë të klasit botëror. Ne jemi të ndërgjegjshëm për forcën e tyre, por do të shkojmë për të dhënë maksimumin. Kemi një grup me kualitete dhe besoj se mund të arrijmë një rezultat pozitiv.”
Rrugëtimi me Kombëtaren: “Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për mua, duke qenë pjesë e këtij grupi që siguroi kualifikimin historik në Europian. Tani synimi ynë është që të luftojmë edhe për Botërorin!”
Forma aktuale dhe konkurrenca në skuadër: “Ka pasur momente të mira dhe të vështira me klubin, por çdo lojtar ka ulje dhe ngritje. Ato minuta që kam pasur, jam munduar t’i shfrytëzoj në maksimum. Konkurenca në Kombëtare gjithmonë të bën më të fortë dhe më motivon të jap gjithçka.”
Julian Shehu:
Thirrja e parë në Kombëtare: “Është një ëndërr e bërë realitet për mua! Jam shumë krenar që kam marrë ftesën dhe do të jap gjithçka për të ndihmuar ekipin.”
Emocionet e ftesës: “Kur mora ftesën nga Kombëtarja, isha i emocionuar dhe nuk e besoja. Ky është momenti më i bukur në karrierën time dhe dua ta shfrytëzoj në maksimum!”
Gati pas dëmtimit: “Sezoni i kaluar ishte shumë i vështirë për shkak të një dëmtimi, por jam rikuperuar plotësisht. Kam luajtur rregullisht me klubin dhe jam 100% gati për Kombëtaren.”
A do të arrijë Shqipëria të bëjë surprizën përballë Anglisë?
Me një skuadër të bashkuar dhe plot ambicie, kuqezinjtë synojnë të bëjnë një paraqitje dinjitoze dhe të luftojnë për një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë.