Pika kufitare e Morinës ka regjistruar fluks të lartë udhëtarësh këtë fundjavë, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Të dhënat e fundit nga Dogana e Morinës tregojnë se deri në mesditën e së shtunës kanë hyrë në territorin e Shqipërisë 4,291 shtetas dhe 2,036 mjete, shkruan RTSH.
Në të njëjtën kohë, në drejtim të Kosovës janë regjistruar 3,834 shtetas dhe 1,967 mjete që kanë kaluar kufirin. Ndër udhëtarët nuk mungojnë as qytetarët nga Shqipëria që kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në Kosovë.
Për të përballuar fluksin, autoritetet doganore kanë vënë në funksion të gjitha sportelet, duke punuar me intensitet të shtuar për të shmangur pritjet e gjata gjatë kontrollit në kufi.
Ndërkohë, bëhet e ditur se nga 1 maji, rikthehet marrëveshja mes Kosovës dhe Shqipërisë për kalimin e kufirit pa kontrolle.