LDK e konsideron të pamundur bashkëpunimin me Kurtin, propozon Qeveri të tranzicionit

Por, ashtu siç e ka përmendur vetë Kurti në letrën dërguar Abdixhikut, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës veçse kanë pasur një koalicion qeverisës, por që për aq kohë të shkurtër sa zgjati, u përcoll me shumë probleme e mospajtime.

Pas Zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, LVV dhe LDK hynë në koalicion qeverisës – si dy parti që dolën e para (LVV 26.27%) dhe e dyta (LDK 24.54%), respektivisht.

Negociatat mes këtyre dy partive ishin zvarritur për muaj të tërë. Gati 4 muaj pas ditës së Zgjedhjeve, tek më 03.02 2020 u votua Qeveria Kurti 1.

Në atë kohë pikë diskutimi ka qenë pozita e Presidentit, që e mbante Hashim Thaçi. Vonesat në formimin e koalicionit sollën edhe situatën ku Vetëvendosje zgjodhi si Kryeparlementar Glauk Konjufcën – pozitë të cilën e kërkonte LDK-ja në atë kohë.

Pas gati katër muajsh negociata të shpeshta, koalicioni mes VV-së dhe LDK-së ishte arritur pa u përmendur çështja e zgjedhjes së Presidentit. Konjufca ishte lëvizur në pozitën e Ministrit të Punëve të Jashtme, për t’i lëshuar rrugën Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur Kryeparlamentare.

Lumir Abdixhiku, tanimë Kryetar i LDK-së, në atë kohë mbante pozitën e Ministrit të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 1.

Por, koalicioni ishte jetëshkurtër. Më 25.03.2020, 52 ditë pas Zgjedhjes Qeveria Kurti u rrëzua. Kjo pas mocionit të mosbesimit, i thirrur nga partneri i koalicionit LDK.

Rrëzimi i Qeverisë Kurti u bë me 82 vota “për”, 34 “kundër” dhe 1 “abstenim”, kjo pasi që çarjet filluan në koalicion, meqë kryeministri Kurti kishte shkarkuar nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliun e LDK-së, më 18.03.2020.

Qeveria e Kosovës në atë kohë kishte shpallur gjendjen emergjente për shkak të pandemisë së koronavisurit. Presidenti i asaj kohe Hashim Thaçi kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme – propozim ky që ishte mbështetur nga Veliu, e u kundërshtua nga Qeveria Kurti.

Veçse para kësaj çështjeje, çarja mes koalicionit kishte filluar me propozimin e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Vendimin ndaj Serbisë Qeveria e Kosovës për vendosjen e masës së reciprocitetit e kishte marrë zyrtarisht më 31.03.2020, 5 ditë pasi ishte shkarkuar nga Kuvendi.

Ky Vendim u kundërshtua nga Ambasada Amerikane. Ky Vendim ishte kundërshtuar edhe nga Richard Grenell, i dërguar i asaj kohe i SHBA-së për Dialogun Kosovë-Serbi.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, LDK në bashkëpunim me AAK-në, NISMA-n dhe Listën Serbe, më 03.06.2020, formoi Qeverinë, të cilën e udhëhoqi ish-zëvendësi i Kurtit, Avdullah Hoti.

Deputeti Haxhi Shala një ditë para votimit të Qeverisë Hoti kishte deklaruar se nuk do ta votonte këtë Qeveri – qëndrim i cili i ndryshoi atij pak pas mesnatës së 3 qershorit, pas vizitës që Presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj i bënë Shalës në shtëpi.

Muaj më pas, djali i Haxhi Shalës ishte emëruar Konsull në Pragë të Çekisë.

Qeveria Hoti, më 06.06.2020, tri ditë pas zgjedhjes, mori vendim për heqjen e masës së reciprocitetit.

Kjo Qeveri u rrëzua rreth 6 muaj më vonë, më 21.12.2020, me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që anuloi Vendimin për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, për shkak se kjo Qeveri u votua nga deputeti Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me Vendim të formës së prerë me një vjet e tre muaj burgim.

Pas rënies së Qeverisë Hoti, më 14.02.2021, u mbajtën Zgjedhjet parlamentare, që i fitoi LVV me 50.28% dhe formoi Qeverinë Kurti 2 në koalicion me deputetët e partive joshumicë joserbe.

Në ato Zgjedhje Vetëvendosje hyri në koalicion parazgjedhor me Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës dhe partinë e sapoformuar nga të pakënaqurit e LDK-së, të udhëhequr nga Vjosa Osmani.

Kurti 2 e përfundoi mandatin dhe vendi pati Zgjedhje më 09.02.2025, me ç’rast LVV ka marrë 42.3%, PDK 20.95% dhe LDK 18.27%.

Aktualisht, vendi është në ngërç insitucional, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.

Kushtetuta nuk e përcakton ndonjë afat se brenda sa ditësh apo muajsh pas certifikimit të rezultatit të Zgjedhjeve, apo pas betimit të deputetëve duhet të konstituohet Kuvendi. Por, Rregullorja e re e Kuvendit e definon që “ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”. Por, pa konstituimin e Kuvendit nuk ka se si të nisë numërimi i ditëve për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Vetëm pasi të jetë zgjedhur Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit, Presidentja e mandaton kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë që e ka numrin më të madh të deputetëve, që në rastin e tanishëm është Lëvizja Vetëvendosje.

Mandatari, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, obligohet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, apo së paku 61 vota.

Nëse Qeveria nuk miratohet në herën e parë, Presidentja brenda 10 ditësh emëron një kandidat tjetër sipas së njëjtës procedurë. Dhe, nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidentja i shpall Zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Kushtetuta e përcakton që Kuvendi shpërndahet, nëse brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës nuk mund të formohet Qeveria.