Kamberi: Dua të shpreh vlerësimin tim të lartë për punën e palodhur dhe objektivitetin e raportuesit, z. Tonino Picula.

Deputeti  i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi ka vlerësuar lartë punën e raportuesit, z. Tonino Picula.
Kamberi ks theksuar se “Raporti në tërësinë e tij prek çështje themelore si sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e medias, dhe harmonizimi i politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian”.
Ky është  shkrimi i Kamberit i publikuar sot në faqen e tij në facebook:
“Duke ndjekur me vëmendje të veçantë miratimin e Raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë (TA-9-2024-0093) dua të shpreh vlerësimin tim të lartë për punën e palodhur dhe objektivitetin e raportuesit, z. Tonino Picula.
Raporti i tij pasqyron qartë problemet dhe rrugën e Serbisë drejt integrimit evropian.Raportuesi Picula ka evidentuar si hapat e ndërmarrë, ashtu edhe fushat ku kërkohet një angazhim shumë më serioz dhe rezultate konkrete, në këtë shtet i cili gjithnjë e më tepër po distancohet nga objektivi i anëtarësimit në BE.
Raporti në tërësinë e tij prek çështje themelore si sundimi i ligjit, reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e medias, dhe harmonizimi i politikës së jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Këto janë shtylla pa të cilat aspiratat evropiane të Serbisë mbeten vetëm dëshira.
Veçanërisht Pika 46 e këtij raporti, e cila adreson drejtpërdrejt çështjen kritike të të drejtave të pakicave kombëtare është thelbësore për nevojat e shqiptarëve dhe pakicave tjera. Kjo pikë është një jehonë e fuqishme e shqetësimeve që unë dhe komuniteti që përfaqësoj i kemi ngritur vazhdimisht, brenda dhe jashtë parlamentit sikurse edhe në çdo komunikim me ndërkombëtaët.
Pika 46: “Thekson nevojën për një angazhim të fortë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, duke siguruar përfaqësimin e tyre të plotë në të gjitha nivelet e qeverisjes, ruajtjen e identitetit tëtyre kulturor përmes përdorimit të gjuhëve përkatëse dhe përmbushjes së nevojave të tyre arsimore, lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion, si dhe ndjekjen aktive të hetimeve për krime të nxitura nga urrejtja si një pjesë e pazëvendësueshme e vlerave të përbashkëta evropiane; shpreh keqardhje që pothuajse të gjitha pakicat kombëtare mbrohen vetëm në mënyrë formale; shpreh shqetësim për praktikën e përfaqësimit pro forma të pakicave kombëtare që janë nën kontrollin e qeverisë;
Më tej i bëhet thirrje Serbisë të “mbrojë dhe të promovojë trashëgiminë kulturore dhe traditat e pakicave të saja kombëtare, në veçanti të krijojë një atmosferë pozitive për arsimin në gjuhët e pakicave, duke përfshirë sigurimin e numrit të mjaftueshëm të mësuesve, teksteve shkollore dhe materialeve shtesë, dhe dënon shkeljen e të drejtave të pakicave në këtë fushë; i bën thirrje Serbisë të përmbahet nga shfrytëzimi i identiteteve kombëtare të pakicave kombëtare që krijojnë përçarje brenda këtyre komuniteteve, dhe dënon ashpër rastet e regjistruara të gjuhës së urrejtjes kundër disa prej tyre;
Raporti poashtu vëren vonesën e “konsiderueshme në hartimin e një plani të ri veprimi për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare dhe thekson nevojën urgjente që Serbia ta finalizojë dhe ta zbatojë atë menjëherë; thekson nevojën që plani i ri i veprimit të përfshijë plotësisht gjetjet dhe rekomandimet e Komitetit Këshillues për Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”.
Kjo pikë, jo vetëm që pasqyron pozitën e vështirë të pakicave në Serbi por gjithashtu edhe paraqet thelbin e betejave tona të përditshme për të drejta.
Thirrja drejtuar Serbisë për të “krijuar një atmosferë pozitive për arsimin në gjuhët e pakicave, duke përfshirë sigurimin e një numri të mjaftueshëm mësuesish, tekstesh shkollore dhe materialesh shtesë,” dhe dënimi i “shkeljes së të drejtave të pakicave në këtë fushë,” adreson një nga plagët tona më të mëdha. Mungesa kronike e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, mosnjohja e diplomave nga Kosova për qëllime punësimi, dhe pengesat e shumta në funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar janë vetëm disa shembuj.
Dënimi i fuqishëm i rasteve të gjuhës së urrejtjes dhe thirrja për t’u përmbajtur nga shfrytëzimi i identiteteve kombëtare për të krijuar ndarje janë jetike. Fatkeqësisht, komuniteti shqiptar shpesh është shënjestër e narrativave diskriminuese dhe gjuhës së urrejtjes, pa një reagim adekuat nga institucionet.
Vonesa e konsiderueshme në hartimin dhe zbatimin e Planit të ri të Veprimit për realizimin e të drejtave të pakicave kombëtare, si dhe nevoja që ky plan të përfshijë plotësisht rekomandimet e Komitetit Këshillimor për Konventën Kuadër, janë shqetësime që tregojnë mungesën e vullnetit politik për të adresuar seriozisht këtë çështje.
Pakica shqiptare ka tre marrëveshje me qeverinë qendrore në Beograd që kanë për synim avancimin e pozitës së shqiptarëve, po nuk janë realizuar ndër gjithë këto vite të përpjekjeve politike si pasojë e një politike antishqiptare që regjimi i Aleksandar Vuçiqit është duke e ndjekur.
Raporti Parlamentit Evropian nuk duhet parë si një kritikë dashakeqe, por si një udhërrëfyes i domosdoshëm për Serbinë. Zbatimi i rekomandimeve të tij, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e pakicave kombëtare, nuk është vetëm një kusht për integrimin evropian, por një domosdoshmëri për ndërtimin e një shoqërie vërtet demokratike, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në Serbi.
Megjithatë, serbia e Vuçiqit, e cila për ditë po dëshmon se nuk e ka synim serioz anëtarësimin në BE dhe se lidhja e saj me Rusinë ka për qëllim krijimin e pasigurisë në Ballkanin Perëndimorë, do të do të mundohet edhe më tej të neglizhojë konstatimet e BE-së.
Tanimë, pas këtij Raporti, mbetet të shihet a do të vazhdojë BE ta përkdhelë autokratin Vuçiq apo, përfundimisht, do të orientohet edhe në ndërmarrjen e masave ndëshkuese, ndaj regjimmit të tij”.
Texts adopted - 2023 and 2024 reports on Serbia - Wednesday, 7 May 2025
europarl.europa.eu
Texts adopted – 2023 and 2024 reports on Serbia – Wednesday, 7 May 2025
Deputeti Kamberi ka qenë mjaft i zëshëm për mos respektimin e të drejtave të pakivave e vecanërisht të shqiptarëve në Serbi.