Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti mbrëmë në një darkë pune Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, e cila po qëndron për vizitë në Prishtinë.
Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje znj. Kallas dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
Në qendër të diskutimeve ishin agjenda evropiane e reformave, Plani i Rritjes dhe progresi që Kosova ka bërë në linjëzimin e politikës së jashtme me atë të BE-së. Kryeministri nënvizoi se kjo është dëshmuar edhe në raportet e fundit të vetë institucioneve evropiane.
Kurti mirëpriti vendimin për nisjen e largimit gradual të masave kufizuese nga BE ndaj Kosovës dhe kërkoi heqjen e tyre të plotë, duke e konsideruar Kosovën si demokracinë më të avancuar të Ballkanit Perëndimor dhe të denjë për të marrë statusin e vendit kandidat.
Në takim u diskutua edhe për procesin paszgjedhor në vend, angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së re, si dhe për dialogun me Serbinë, ku kryeministri theksoi nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
Ai gjithashtu kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë dhe që Millan Radoiçiq, tashmë i akuzuar nga Prokuroria e Kosovës, të dorëzohet autoriteteve kosovare.
Kurti ngriti edhe çështjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke i kërkuar Bashkimit Evropian të ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
