Deputeti serb në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq që para dy ditësh e propozoi vetën për nënkryetar Kuvendi nga komuniteti serb e që më pas emri i tij u tërhoq edhe përmes shortit, por që nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme tha se shpreson që sot Kuvendi do të ketë edhe nënkryetarin e pestë.
Ka treguar se ka biseduar me ata deputetë të cilët nuk morën pjesë në votim të martën kur emri i tij doli nga shorti, pasi thotë se ata kanë konsideruar se se nuk është në harmoni me kushtetutën, por thotë se është munduar t’i bindë ata se në këtë proces nuk ka asgjë kundërkushtetuese.
“Sa i përket votimit, ata nuk kanë votuar ose kanë abstenuar, sepse e di prej bisedave se ata kanë konsideruar që është diçka që nuk është në harmoni me kushtetutën, dhe jam përpjekur që t’i shpjegoj që ai votim nuk është absolutisht kundërkushtetues e mund ta votojnë pa hezitim”.
Por, Rashiq th ase pavarësisht diskutimeve që ka pasur nuk e di nëse sot emri i tij do të jetë sërish si kandidat a do t’i marr votat e nevojshme për t’u ulur në karrigen e nënkryetarit që përfaqëson serbët.
Dy ditë më parë Lista Serbe e propozoi tri herë Slavko Simiqin për këtë pozitë çka nuk mori votat e mjaftueshme. Kryeparlamentari u sqaroi atyre se aktgjykimi i kushtetueses nuk lejon që i njëjti emër të propozohej më shumë se tri herë, meqë Lista Serbe insistonte vetëm në emrin e Simiqit.
Duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit kryetari vendosi që votimi për nënkryetarin e komunitetit serb të bëhej përmes shortit, por që as ky proces nuk solli vota të mjaftueshme për ta zgjedhur atë.
Kuvendi sot e ka mundësinë të përmbyllë procesin e konstituimit duke zgjedhur edhe nënkryetarin e 5-të që sipas Kushtetutës duhet të jetë nga komuniteti serb.