BE: Sulmi i Izraelit në Doha shkel të drejtën ndërkombëtare

Bashkimi Evropian ka reaguar pas sulmit ajror të Izraelit ndaj drejtuesve të Hamasit në Doha, duke e cilësuar atë si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial të Katarit.

 

Në një deklaratë të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së thuhet se ky veprim rrezikon të shkaktojë një përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës në rajon.

“Shprehim solidaritet të plotë me autoritetet dhe popullin e Katarit, partner strategjik i BE-së”, thuhet në reagim.

Po ashtu, BE-ja thekson se është e domosdoshme të shmanget çdo përshkallëzim i luftës në Gaza dhe përsërit mbështetjen për të gjitha përpjekjet që synojnë një armëpushim.