Partia për Veprim Demokratik pas kapje së autorëve të grafiteve në Qendër tv qytetit të Bujanocit me emrin e të dënuarit për Krime Lufte Ratko Mlladic, ka dalë me një kumtesë në cilë thuhet se:
“Partia për Veprim Demokratik me vëmendje të veçantë është duke përcjellur zhvillimet e fundit në Bujanoc me paraqitjen e grafiteve me emrin e kriminelit të dënuar të luftës për gjenocid, Ratko Mladiq”.
Ndër të tjera në këtë Kumtesë theksohet se gjetja e autorëve është vetëm një skenarë për ti fshehur autorët e vërtet:
“Nuk mund të quhet “zbulim i autorëve” fakti kur ata, në mes të ditës, në sheshin plot njerëz, shkruajnë grafite me emrin e një krimineli lufte. Kjo më tepër duket si skenarë që kishte për qëllim “flijimin” e tre personave për të mbyllur hetimet rreth urdhërdhënësve të këtyre akteve, por edhe heshtjen e kësaj teme”.
Kjo është Kumtesa e plotë e Partisë për Veprim Demokratik:
“KUMTESË E PARTISË PËR VEPRIM DEMOKRATIK
Partia për Veprim Demokratik me vëmendje të veçantë është duke përcjellur zhvillimet e fundit në Bujanoc me paraqitjen e grafiteve me emrin e kriminelit të dënuar të luftës për gjenocid, Ratko Mladiq. Këto grafite, po duken vazhdimësi e grafiteve të vitit të kaluar “vdekje shqiptarëve”, autorët e të cilëve, as sot nuk janë zbuluar.
Prandaj, Partia për Veprim Demokratik ndanë shqetësimin e të gjithë qytetarëve, të cilët me të drejtë po dyshojnë në zbardhjen e plotë të së vërtetës rreth mbishkrimeve nacionaliste dhe shoviniste në qytet, ditëve të fundit.
Nuk mund të quhet “zbulim i autorëve” fakti kur ata, në mes të ditës, në sheshin plot njerëz, shkruajnë grafite me emrin e një krimineli lufte. Kjo më tepër duket si skenarë që kishte për qëllim “flijimin” e tre personave për të mbyllur hetimet rreth urdhërdhënësve të këtyre akteve, por edhe heshtjen e kësaj teme.
Shqetësimi në rritje në këtë komunë për rendin dhe sigurinë vjen pas incidentit të bilbordit me figurën e komandant Lleshit e shumë akte tjera që cënojnë sigurinë e qytetarit në pikë të ditës.
Mbishkrimet me emrin e një krimineli të dënuar për gjenocid, veprën më të rëndë të drejtësisë ndërkombëtare, në një komunë multietnike siç është Bujanoci, me të drejtë ngjallin shqetësim e neveri. Kjo para së gjithash se klima dominante politike në Serbi, e udhëhequr nga regjimi aktual, është mohimi i krimeve të luftës, mohimi i kriminelëve dhe glorifikimi i këtyre krimeve të tmerrshme në zemër të Evropës.
Relativizimi i asaj që po ndodh është i dëmshëm, jo vetëm për rendin e qetësinë, por edhe për raportet ndëretnike. Relativizimi i këtyre incidenteve dhe “normalizimi” i gjendjes ku krimineli i luftës të pranohet si diçka e zakonshme është sulm i drejtpërdrejtë mbi dinjitetin e qytetarit, fyerje ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, sulm i drejtpërdrejtë në drejtësinë tranzicionale.
Shqetësuese për PVD-në janë edhe “shëtitjet” e panevojshme në këtë komunë, të atyre që duke ushtruar pushtetin absolut në këtë shtet, po kërkojnë “jetë normale”.
Bujanoci është ndër komunat në të cilat nuk ka patur protesta nga vala e protestave masive studentore. Nuk ka qenë i bllokuar asnjëherë. Prej kujt do ta zhbllokojnë Bujanocin këta pushtetarë absolut?
Të vetëdijshëm se autokracisë po i vie fundi, ata po tentojnë që të nxisin tensione në komunat multuetnike siç është Bujanoci.
Provuan në Novi Pazar. Nuk ia dolën. Tani po tentohet nxitja e tensioneve dhe destabilizimi në Bujanoc. Prandaj, paraqitja e mbishkrimeve me emrin e njeriut që ka kryer gjenocid mbi civilët në Srebrenicë, nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si thirrje për gjenocid të ri.
PVD, pret që organet shtetërore të zbardhin vërtetë këto raste. Të zbardhin emrat e kryesve por edhe të urdhërdhënësve të këtyre nxitësve të tensioneve.
Nuk pajtohemi me skenarë amator, të “zbulimit”, që kanë për qëllim vetëm fshehjen e motiveve të vërteta të incidenteve të këtilla.
Ata që për çdo iniciativë që niset për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve reagojnë rrufeshëm duke i cilësuar si kundërkushtetuese, tani po heshtin kur autorët e caktuar glorifikojnë kriminelin e luftës duke krijuar atmosferë për gjenocid të ri.
Partia për Veprim Demokratik, fton edhe Bashkësinë ndërkombëtare edhe korin diplomatik në Serbi të reagojnë për këto nxitje të qëllimshme të tensioneve, që po përdoren edhe për të shpërqëndruar vëmendjen nga kriza e thellë politike nëpër të cilën po kalon regjimi autoritar”.
Preshevë, 10 shtator, 2025
Shaip Kamberi- kryetar