Rubin përfundon dëshminë në Hagë: Ishte privilegj për mua të jem këtu

James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka përfunduar dëshminë, për ditën e tretë me radhë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

 

Rubin tha se ishte privilegj për atë që të japë dëshmi në këtë proces përkundër faktit që ka zgjatur pak si shumë.

“Dua të them që ishte privilegj për mua të jem këtu, pvarësisht se zgjati pak më shumë”, tha Rubin.

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka përfunduar dëshminë me riktheksim se tërë dëshmia e tij bazohet në se UÇK nuk ka pasur strukturë organizative.

Jems Rubin është  larguar nga objekti i Gjykatës Speciale me vetura diplomatike të ambasadës amerikane në Holandë.

Dëshmitari i dyte i thirrur nga mbrojtja e Thaçit është amerikani Paul Williams.

Paul Williams ka qenë këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje

Rubin: UÇK pa strukturë ushtarake formale, Demaçi ‘Mandela i Kosovës’

(E plotësuar, 10:54) James Rubin, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të shtetit, sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë, për ditën e tretë me radhë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Rubin dëshmoi lidhur me strukturën dhe veprimtarinë e UÇK-së. Ai deklaroi se komunikatat e lëshuara nga UÇK-në i kishte parë si përpjekje për ta bërë organizatën të dukej më e rëndësishme se ç’ishte në realitet.

“Këto komunikata nuk kanë enë asgjë më shumë përveçse manipulime”, tha ai.

Rubin theksoi se nuk kishte prova për një strukturë ushtarake formale me batalione apo brigada dhe se në UÇK kishte më shumë klane se sa organizim të mirëfilltë. Po ashtu, ai nuk kishte dijeni për ekzistencën e Policisë Ushtarake, por kishte parë persona me dhe pa uniforma.

Në pyetjet mbi personat e zhdukur, Rubin tha se me gjasë e kishte diskutuar çështjen me Hashim Thaçin dhe kishte bërë përpjekje në këtë drejtim.

Duke folur për Adem Demaçin, Rubin e quajti atë ekuivalent të Nelson Mandelës, për shkak të viteve të gjata në burg dhe autoritetit të madh moral mbi lëvizjen çlirimtare. Ai theksoi se ndikimi i Demaçit ishte kryesisht moral, jo fizik.

Lidhur me negociatat në Rambuje, Rubin u pyet nëse Thaçi kishte kërcënuar Veton Surroin dhe Dukagjin Goranin. Ai tha se nuk kishte dijeni për ndonjë kërcënim fizik, por bëri dallim midis presionit moral dhe atij fizik, duke theksuar se presioni ideologjik mbi çështjen e pavarësisë ishte i pranishëm.

Rubin kujtoi se edhe Madeleine Albright kishte ushtruar presion mbi Thaçin për të pranuar marrëveshjen, duke e paralajmëruar për pasojat ndaj popullit shqiptar.

Gjatë seancës u paraqitën transkriptat e incizimeve të 3 shtatorit 2023 nga paraburgimi, të cilat u pranuan si prova materiale pas rishikimit dhe u riklasifikuan si publike. Të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në sallën gjyqësore.

James Rubin edhe sot vazhdon dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në Hagë, sot, për të tretën ditë me radhë vazhdona dëshminë e tij, James Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, i cili është dëshmitar i thirrur i mbrojtjes së Thaçit.

Ish-diplomati amerikan James Rubin, në ditën e dytë të dëshmisë së ti të martën, tha para trupit gjykues se “fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson, mendoj se lidhet me politikën”.

Rubin tha se me dëshirën e tij do ta kishte përfunduar dëshminë dje, në ditën e dytë të dëshmisë së tij, por trupi gjykues i tha se pyetjet për të nuk kanë përfunduar dhe se do të vazhdojë edhe mbrojtja me pyetje, përveç trupit gjykues.

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, ka deklaruar se nuk ekzistojnë prova apo informacione që mbështesin pretendimet se lidershipi i UÇK-së ka qenë i përfshirë në urdhra për vrasje apo krime të organizuara.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij, të hënën, në Hagë, Rubin i cili është duke dëshmuar me autorizimin e Qeverisë Amerikane, tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin theksoi se Thaçi kishte kryesisht rol politik dhe se nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së. Sipas tij Thaçi duhej të merrte miratimin e komandantëve për çdo vendim të rëndësishëm ushtarak.

James Rubin, ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, gjatë luftës në Kosovë ishte një nga zërat kryesorë që shpjegoi qëndrimet amerikane para, gjatë dhe pas ndërhyrjes së NATO-s.

Edhe para 26 vitesh, Rubin kishte deklaruar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe se nuk kishte qëllime për të larguar serbët nga Kosova.

Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore, raporton RTKlive.

Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.