Edhe Partia Demokradike me në krye Nagip Arifin, ka reaguar përmes një komunikate ndaj deklaratave të djeshme të ministrit Demo Berisha, dhe ndaj planit dhjetë-pikësh të kryetarit Arbër Pajaziti.
Ndër të tjera në komunikatë thuhet “Partia Demokratike me seli në Bujanoc kundërshton ashpër deklaratat gjatë takimit të djeshëm të ministrit Demo Berisha me kryetarin e komunës së Bujanocit, të cilin e konsiderojmë një akt politikisht të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për interesat e shqiptarëve në këtë komunë”.
“PD vlerëson se dokumentet e vetme që duhen respektuar janë ato të cilat dalin me një koncensus të plotë të faktorit politik shqiptar, e që më së miri shprehen permes Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptar, dhe nuk përkrah asnjë iniciativë tjetër që bëhet me skenarë nga Beogradi”, thekson në fund të komunikatës PD.
Kjo është komunikata e PD-së në tërsi:
KOMUNIKATË
Partia Demokratike me seli në Bujanoc kundërshton ashpër deklaratat gjatë takimit të djeshëm të ministrit Demo Berisha me kryetarin e komunës së Bujanocit, të cilin e konsiderojmë një akt politikisht të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për interesat e shqiptarëve në këtë komunë.
Me deklaratat e tyre gjatë konferences për shtyp, të apostrofuarit kanë zgjedhur të legjitimojnë politikat e dështuara të pushtetit qendror ndaj bashkësisë shqiptare në Luginë dhe u bënë vegël e tyre, në vend që të mbrojë interesat e qytetarëve.
Partia Demokratike kundërshton fuqishëm çdo plan pa koncensus të të gjitha partive shqiptare, i cili po përgatitet në mënyrë jotransparente dhe që synon të zëvendësojë planin 7-pikësh të miratuar nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë.
Demo Berisha, me qëndrimet e tij, ka treguar se është i gatshëm të hedhë poshtë konsensusin e arritur mes shqiptarëve, duke dobësuar pozitën tonë të përbashkët dhe duke i shërbyer interesave të ngushta të pushtetit qendror.
Çdo përpjekje për marrëveshje të fshehta dhe plane të imponuara në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ne e konsiderojmë tradhti politike ndaj kauzës së shqiptarëve në Bujanoc dhe në mbarë Luginën.
PD vlerëson se dokumentet e vetme që duhen respektuar janë ato të cilat dalin me një koncensus të plotë të faktorit politik shqiptar, e që më së miri shprehen permes Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptar, dhe nuk përkrah asnjë iniciativë tjetër që bëhet me skenarë nga Beogradi.
Partia Demokratike –Bujanoc