Kompany qetëson zërat për Kane: Ai është lojtar i veçantë

Java e pestë e Bundesligës 2025/26 starton me një përballje nostalgjike: Bayern Munich – Werder Bremen, dy skuadra që për vite kanë dhuruar duele të forta në futbollin gjerman.

 

Në prag të kësaj sfide, trajneri i Bayern-it, Vincent Kompany, doli para mediave për të folur rreth ndeshjes, por shumë shpejt vëmendja u përqendrua tek e ardhmja e sulmuesit anglez, Harry Kane.

“Harry është një lojtar i veçantë. Ai kërkon të fitojë trofe dhe në Mynih i ka të gjitha mundësitë për ta bërë këtë”, tha Kompany, duke hedhur poshtë spekulimet për një largim të mundshëm të kapitenit të Anglisë në verën e vitit 2026.

Kane është kthyer në lojtarin kyç të bavarezëve, jo vetëm për golat, por edhe për mënyrën se si ndërton lojën.

“Ai shpesh zbret deri në mesfushë ose pranë zonës sonë për të ndihmuar në ndërtimin e aksioneve. Shokët e skuadrës përfitojnë shumë nga kjo lëvizshmëri, ndërsa vetë Kane gjen më shumë hapësira duke shmangur markimin e ngushtë të mbrojtësve rivalë”, shtoi Kompany.

Bayern – Werder luhet nesër dhe pritet të tërheqë interesin e madh të tifozëve, si për nostalgjinë e dueleve të dikurshme, ashtu edhe për formën e jashtëzakonshme të Harry Kane.