Ballkani do të përballet me Shkupin në fazën e “Play-Off”-it në Ligën e Konferencës, nëse fillimisht e kalon raundin e tretë të kësaj gare.
Të enjten, kampionët e Kosovës do të zhvillojnë ndeshjen e kthimit kundër Klaksvikut në udhëtim, për t’u mësuar pastaj përfundimisht skuadra që do të kalojë në fazën tjetër.
Ballkani ka përparësi në rezultat, pasi shënoi fitore 3:2 në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Nëse therandasit marrin rezultatin e duhur dhe kalojnë në “Play-Off”, aty do të takohen me skuadrën shqiptare nga Maqedonia e Veriut dhe kampionët në fuqi të këtij vendi, Shkupin.
Shkupi sonte pësoi humbje nga Shamrock Roversi me rezultatin 0:2, në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë në Ligën e Evropës, teksa në ndeshjen e parë ishte mposhtur me rezultatin 3:1.
Ndeshjet e fazës së “Play-Off”-it në Ligën e Konferencës do të zhvillohen më 18 dhe 25 gusht. /Express