Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha dhe Ava Max- janë emrat e 4 artisteve shqiptare që kanë pushtuar tregun botëror duke arritur majat me sukseset e tyre. Të gjithë shqiptarët prej vitesh kanë dëshiruar t’i shohin në një bashkëpunim, gjë që është folur edhe ato, por deri tani nuk ka asnjë dritë jeshile.
Megjithatë, në një farë mënyre tri prej tyre do bëhen bashkë pasi do të jenë përformuese në një prej koncerteve më të mëdha të fundvitit.
Bëhet fjalë për Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe Ava Max që do të përformojnë në koncertin e iHeart Radio, me rastin e festave të fundvitit. Karshi tyre, në këtë koncert do të marrin pjesë edhe Jack Harlow, Pitbull, Khalid e Lewis Capaldi.
Koncerti “Jingle Ball” do të mbahet më 2 dhjetor, në Los Angeles.
Po ashtu, dy prej tyre po vijnë me një duet: Rita dhe Ava. Sipas ‘The Sun’, Rita është duke punuar në studio për albumin e ri, i cili do të përfshijë edhe një bashkëpunim me Avën. “Rita tashmë është kthyer në studio duke punuar në albumin e saj të tretë, me sesionin e saj të fundit të incizimit me Ava Max dhe Noah Cyrus”, tha burimi.
Ava Max, emri i vërtetë i së cilës është Amanda Koçi mori famë nga hiti i saj i famshëm “Sweet but Psycho”. Këngëtarja me origjinë nga Saranda ka një album të publikuar në tregun ndërkombëtar, të titulluar “Heaven and Hell”, teksa Rita Ora ka dy albume: “Phoenix” dhe “O.R.A”.
Bebe Rexha para disa vitesh shprehu dëshirën për një bashkëpunim mes artisteve shqiptare me famë botërore. Ndonëse dëshira nga shqiptarët ishte e madhe, kjo gjë nuk ndodhi dhe shkak duket se u bë armiqësia që vazhdon prej pak vitesh mes Duas dhe Ritës. Bebe ka treguar se ka dëshiruar prej kohësh që të realizohet ky bashkëpunim, por planet janë shkatërruar për shkak të dy artisteve të tjera.
“Kam tentuar vërtetë. Nuk e di realisht se çfarë po ndodh mes tyre apo çfarë historie ka. Gjithmonë kam tentuar të ruajë paqen dhe t’i bashkoj vajzat. Për mua, do të doja shumë që të bënim diçka bashkë, por nuk jam e sigurt se do të ndodhë ndonjëherë. Dhe nuk do të them më gjë për këtë.
Është e çuditshme, sepse unë e di se çdo të thotë të jesh vajzë dhe ndonjëherë ne mund të bëhemi shumë konkurruese. Nuk po flas vetëm për veten, Duan, Ritën apo Avan, por flas për gjithë femrat në përgjithësi. Nuk ka shumë vajza në industri. Është e trishtueshme që ka një konkurrencë të pashprehur. Do të doja shumë që të ndodhte, sepse unë i njoh të gjitha këto vajza personalisht dhe janë të gjitha të mrekullueshme”, është shprehur Bebe për “The Sun” dy vite më parë.
Ndërkohë, Ava është shprehur optimiste në një intervistë në fund të vitit 2020: “Një bashkëpunim me të gjitha ne femrat nga Shqipëria do të ishte një ëndërr absolute. Kur Bebe Rexha më ftoi për një bashkëpunim unë isha gati të kuptoj diçka! Ne në fakt jemi bërë miq dhe kemi qëndruar afër që nga ajo ftesë. Le të shohim se çfarë na pret në të ardhmen sa i përket një kënge nga të gjitha ne”.
Kurse Rita për radion filipinase “MYX” tha: “Nuk kemi filluar ende me bashkëpunimin, por mendoj se do të ishte super fantastike, sepse jemi të gjitha shqiptare dhe ky do të ishte moment magjik për Shqipërinë”. Vetëm nga Dua nuk ka patur asnjë prononcim.
Me vitet marrëdhënia mes Duas dhe Ritës është përkeqësuar aq shumë sa vajzat nuk dëshirojnë as të shihen me njëra-tjetrën në evente të përbashkëta. Thuhet se kur ishte në fillimet e saj Dua ka kërkuar mbështetjen e Ritës, por kjo e fundit refuzoi ta ndihmonte. Tashmë që ka kapur majat Dua duket se i ka bërë ‘block’ duke injoruar edhe faktin se vijnë nga i njëjti vend.