Kryetarja e Unionit Socialdemokrat, Duda Balje ka reaguar pasi Supremja hodhi poshtë ankesat e Adrijana Hoxhiqit.
Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë të premten pjesën e mbetur të aneksave të dërguara në këtë institucion kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Njëri prej këtyre vendimeve ndikon edhe te mandatet e komuniteteve boshnjake dhe rome.
Vendimi i Supremes i lëshon rrugë që deputete në vend të Adrijana Hoxhiqit të bëhet Duda Balje.
Kjo e fundit ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke përshëndetur vendimet e institucioneve.
Balja pasi është shprehur se ndjehet krenare me shtetin e Kosovës, ka thënë se me këto vendime u dëshmua shteti ligjor.
“U vërtetua dhe konfirmua nga shteti ligjor i Kosovës që askush nuk mundet të shkelë dinjitetin e asnjë komuniteti me vota të një komuniteti tjetër. Tash e tutje çdo kush kur të aplikon për mandate të rezervuara e ka të qartë që nuk mund të luaj me vullnetin e askujt!”.
Balje i është përgjigjur edhe deklaratave të Hoxhiqit e cila pas vendimit të Supremes tha se “e gjithë bota le ta sheh që Kosova nuk është shtet ligjor”.
“Shteti i Kosovës është shtet demokratik dhe ligjor, kurse ata që deklarojnë se Kosova është shtet jo ligjor kanë probleme serioze me demokracinë dhe drejtësinë. Kur dikush që ka dashur të dhunoj demokracinë e Kosovës flet për jo demokraci atëherë nuk do shumë koment”.
Balje thotë se edhe arrestimet që kanë ndodhur për manipulime me vota tregojnë se nuk do të ketë lojë me shtetin ligjorë.
“Sinqerisht më vjen keq që shumë njerëz janë terrorizuar në këto zgjedhje. Mirëpo verdikti i organeve të drejtësisë së shtetit të Kosovës tregoi se demokracia nuk mund dhe nuk do lejohet të shkelët nga askush. Arrestimet për keqpërdorimet në procesin zgjedhor janë sinjal i qartë që s’ka lojë me shtetin ligjor”.
“Unë i falënderohem të gjithëve që e dhanë kontributin e pashoqë që drejtësia të fitoj. I falënderohem PZAP-së, Gjykatës Supreme, Institutit Demokratik të Kosovës, OJQ-ve, opinionistve dhe mediumeve të Kosovës që ndihmuan që e vërteta dhe drejtësia të ngadhënjej fuqishëm”, ka shkruar më tej Duda Balje.
E pyetur gjatë ditës se a do të votojë deputetja boshnjake për Kurtin si kryeministër dhe Osmanin si presidente, Balje ka thënë se do ta bëjë një gjë të tillë.
“Unë e votoj zotin Kurtin për kryeministër pasi që ka marrë kaq shumë vota. Edhe zonjën Osmani e votoj për presidente”, ka thënë Balje./Telegrafi/