Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) që po zhvillon punimet në New York.
Shumicën e kohës së adresimit, Vuçiq e përshkroi me akuza ndaj shteteve perëndimore, transmeton klankosova.tv.
Pa përmendur asnjëherë krimet që janë bërë ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve të ’90-ta nga makineria policore e ushtarake e Beogradit, kryetari i Serbisë akuzon ata që i quan të “fuqishmit e botës” e shkelën vendin e tij.
”Nënshkrimi i ujdisë me NATO-n për ndalimin e konfliktit të armatosur, dispozitat e të cilit paraqitën rezolutën 1244, e konfirmon dhe garanton sovranitet të pjesshëm dhe integritet të plotë territorial të Serbisë. Kjo nuk i ndaloi shumë vende perëndimore të pranojnë njëanshëm pavarësinë e të ashtuquajturës Kosovë”, tha Vuçiq.
”Kërkojmë përgjigje të qartë në këtë pyetje, të cilën për vite ua kam shtruar bashkëbiseduesve e liderëve të shumë vendeve. Cili është ndryshimi mes sovranitetit e integritetit territorial të Ukrainës dhe atij të Serbisë, që u shkel rëndë dhe ju ofruat njohje e legjitimitet ndërkombëtar”, tha Vuçiq.
Në fjalimin që zgjati afër njëzet minuta, Vuçiq shtoi se “Serbia as në ëndërr s’e sheh që të sulmojë vendet fqinje”.
”Kërkojmë më shumë durim e vullnet për kompromis për ‘Kosovën dhe Metohinë’ nën ndërmjetësim të BE-së dhe brenda dialogut Beograd-Prishtinë. Është proces i vështirë. Ka zgjatur më shumë se 10 vjet, por nuk shohim alternativë tjetër. Është më mirë të negociohet për 100 vjet se të bëjmë luftë për një ditë të vetme”.
Ky lloj pajtimi, sipas kryetarit serb, është mënyra e vetme për të arritur qëllimin që ai e quan ‘paqe afatgjate si parakusht për jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në tërë rajonin’.
Shih Videon