Katari, historiku i tij deri te organizimi i Kupës së Botës





Në vitin 2010, Katarit iu dha e drejta për të pritur Kupën e Botës FIFA 2022, duke u bërë vendi i parë në Lindjen e Mesme që do të presë ngjarjen më të madhe sportive në botë.
Një mori akuzash për korrupsion dhe pretendime se “Katari ka blerë Kupën e Botës”, u drejtuan ndaj shtetit të Lindjes së Mesme krahas mënyrës së trajtimit të punëtorëve imigrantë.

Më poshtë paraqiten në mënyrë kronologjike, arritjet e Katarit në futboll deri tek oferta për Kupën e Botës për vitin 2022.

2 dhjetor 2010
Katarit i është dhënë e drejta për të pritur Kupën e Botës FIFA 2022, duke u bërë vendi i parë në Lindjen e Mesme që e bën këtë.

5 maj 2011
Zëvendëspresidenti i qeverisë botërore të futbollit, Jack Warner, i pezulluar për shkak të një hetimi për korrupsion, zbuloi një email nga sekretari i përgjithshëm i FIFA-s ,duke pretenduar se Katari “i ka blerë” të drejtat për të pritur Kupën e Botës.

10 maj 2011
Një hetim parlamentar britanik u tha se pse Anglia nuk arriti të siguronte Kupën e Botës për vitin 2018. Deputeti Damian Collins, shtoi se kishte prova nga gazeta “Sunday Times” se Issa Hayatou i Kamerunit dhe Jacques Anouma nga Bregu i Fildishtë ishin paguar nga Katari.

Maj 2011
Informatori Phaedra al-Majid, i cili ishte pjesë e ofertës së Kupës së Botës të Katarit, ka pretenduar se vendi i Lindjes së Mesme i ka paguar 1.5 milionë dollarë presidentit të Konfederatës Afrikane të Futbollit, Hayatou, Anouma dhe të pezulluarit të Nigerisë Amos Adamu. Të tre të akuzuarit i mohuan akuzat.
Al-Majid më vonë tha se ajo i kishte sajuar pretendimet e saj. Në nëntor 2014, ajo deklaroi se ishte detyruar të tërhiqte pretendimet e saj për shqetësime sigurie dhe mungesë përfaqësimi ligjor.

17 korrik 2012
Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter njoftoi se ish-avokati amerikan Michael Garcia dhe gjyqtari gjerman Hans-Joachim Eckert ishin bashkuar me organizatën për të hetuar akuzat për keq bërje.

25 shtator 2013
Gazeta britanike “The Guardian” publikon një hetim ku u zbulua se mijëra punëtorë nepalezë në Katar përballen me shfrytëzim dhe abuzime që përbëjnë “skllavërinë moderne”.

18 nëntor 2013
Një raport nga “Amnesty International” ka vërejtur sektorin e ndërtimit të Katarit të mbushur me abuzime, me punëtorë të punësuar në projekte shumëmilionëshe që vuajnë nga shfrytëzimi serioz.

13 nëntor 2014
Eckert publikon një përmbledhje prej 42 faqesh, duke pastruar Rusinë dhe Katarin nga çdo keq bërje dhe duke lejuar të dy vendet të organizojnë turnetë. Garcia e deklaroi raportin “materialisht të paplotë dhe të gabuar”.

20 nëntor 2014
FIFA diskutoi mbi rishikimin e mëtejshëm mbi dhënien e të drejtave të organizimit për Kupat e Botës 2018 dhe 2022. Ajo ka studiuar një raport prej 430 faqesh të një prokurori amerikan mbi akuzat për korrupsion të përhapur.

24 shkurt 2015
Kupa e Botës 2022 u zhvendos në sezonin dimëror, për shkak të shqetësimeve të temperaturave ekstreme në Katar gjatë verës.

27 maj 2015
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës ka hapur procedime penale kundër personave të panjohur për dyshimin e keq menaxhimit kriminal dhe pastrimit të parave në lidhje me ndarjen e Kupës së Botës 2018 dhe 2022.
Autoritetet zvicerane arrestojnë gjithashtu shtatë zyrtarë kryesorë të FIFA-s në Cyrih me akuza për shantazh dhe ryshfet të ngritura nga SHBA-të.

25 shtator 2015
FIFA njofton se Kupa e Botës 2022 do të nis më 21 nëntor.

29 shtator 2015
FIFA e ndalon Warnerin përgjithmonë nga aktivitetet e futbollit, duke e shpallur fajtor për shkelje të kodit të etikës së organizatës për të disatën herë.

1 Prill 2016
Punëtorët në Katar të cilët rinovonin një stadium për turneun e Kupës së Botës, pësuan abuzime në ambientin e punës nga organizatorët. Abuzimet binin ndesh me Kodin e të drejtave të Punëtorit, shkruhej në një raportim nga “Amnesty International”.

22 prill 2016
Presidenti i ri i FIFA-s, Gianni Infantino kishte njoftuar planet për të ngritjen e një komiteti të pavarur, i cili do të monitoronte kushtet për punëtorët që punojnë në stadiumet e Kupës së Botës 2022 të Katarit.

19 maj 2017
Stadiumi Ndërkombëtar “Khalifa”, u bë vendi i parë i gatshëm për të pritur turneun e Katar 2022.

5 qershor 2017
Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Bahreini ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin. Ata vendosën një bllokadë tokësore, detare dhe ajrore pasi e akuzuan atë për mbështetje të terrorizmit. Katari i mohoi me forcë akuzat.

27 qershor 2017
FIFA publikoi raportin e plotë mbi një hetim që kishte kryer mbi akuzat për korrupsion lidhur me dhënien e Kupës së Botës 2018 dhe 2022. Dosja ofronte një pamje të një procesi votimi të përsosur dhe asnjë provë të fortë se komisionet përdorën ryshfet për të siguruar të drejtat.

26 tetor 2017
Qeveria e Katarit miraton një projekt-ligj për të mbështetur një fond për fuqinë punëtore të saj me vlerë 2 milionë dollarë.

Tetor 2017
Katari kishte hyrë në një marrëveshje me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO), e cila synonte të reformonte gjerësisht kushtet e punëtorëve imigrantë, duke përfshirë reformimin e sistemit kafala (sponsorizimi).

10 shkurt 2019
“The Guardian” kishte zbuluar se Sir Lynton Crosby, një strateg politik australian me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, iu ofrua të punonte në një fushatë për t’i dhënë Kupën e Botës 2022 një vendi tjetër në këmbim të 6.4 milionë dollarëve.

15 mars 2019
Këshilli i FIFA-s miratoi bashkëpunimin me Katarin pritës për të eksploruar zgjerimin e Kupës së Botës 2022 në 48 ekipe, duke shtuar të paktën një vend tjetër në Gjirin Persik për pritjen e turneut.

8 maj 2019
Shërbimi i parë i metrosë hapet për publikun në kryeqytetin e Katarit, Doha.

16 maj 2019
Përurohet stadiumi “Al Janoub”, duke u bërë vendi i parë i turneut në Katar 2022 që është ndërtuar nga e para.

23 maj 2019
FIFA heq dorë nga planet për zgjerimin e Kupës së Botës së Katarit 2022 në 48 ekipe.

18 qershor 2019
Policia franceze ka ndaluar për marrje në pyetje ish-shefin e UEFA-s, Michel Platini, në lidhje me dhënien e Kupës së Botës 2022. Ai u lirua një ditë më vonë.

4 shtator 2019
Katari zbuloi emblemën zyrtare të turneut në një ekran të sinkronizuar në Doha dhe 24 qytete të tjera të mëdha në mbarë botën.

19 shtator 2019
Në një raportim të “Amnesty International”, u zbulua se qindra punëtorë imigrantë, u detyruan të heqin dorë “nga drejtësia” e të kthehen pa para në shtëpi që nga marsi i vitit 2018.

Tetor 2019
Katari ka shpallur heqjen e sistemit kafala, duke u mundësuar punëtorëve të ndryshojnë punëdhënësit.

11 tetor 2019
Një studim i OKB-së ka vlerësuar masat e marra nga komiteti organizues i turneut, duke theksuar se nevojiten masa mbrojtëse dhe orë pune të përmirësuara për punëtorët.

16 janar 2020
Katari ka njoftuar se shumica e punëtorëve imigrantë të penguar më parë të largohen nga vendi pa lejen e punëdhënësit të tyre nuk do të kenë më nevojë për leje dalje.

6 prill 2020
Departamenti Amerikan i Drejtësisë deklaroi se përfaqësuesit që punonin për Rusinë dhe Katarin, kishin korruptuar zyrtarët e FIFA-s për të siguruar të drejtat e organizimit të turneut botëror të futbollit.

15 qershor 2020
Përurohet stadiumi i qytetit të Arsimit. Ai do të presë ndeshje deri dhe duke përfshirë fazën çerekfinale gjatë Katarit 2022.

24 gusht 2020
Një raport i “Human Rights Watch”, zbuloi se punëdhënësit në të gjithë Katarin shpesh kanë shkelur të drejtën e punëtorëve për paga dhe se përpjekjet për të përmirësuar mjedisin e punës kanë dështuar kryesisht.

30 gusht 2020
Katari ka shfuqizuar sistemin e tij të diskutueshëm kafala, duke i lejuar punëtorët imigrantë të ndryshojnë lirisht punëdhënësit. Vendi gjithashtu njoftoi se do të prezantonte një pagë minimale mujore për të gjithë punëtorët prej 1 mijë rial (275 dollarë).

8 dhjetor 2020
Katari njofton respektimin e rregullave të FIFA-s për promovimin e tolerancës dhe flamujt e ylberit do të lejohen në stadiume në Kupën e Botës 2022.

18 dhjetor 2020
Përurohet stadiumi “Al Rayyan”, vendi i katërt i Kupës së Botës në Katar 2022.

Mars 2021
Një hetim i “Al Jazeera”, kishte zbuluar se një numër punëtorësh ishin të suksesshëm në ndërrimin e vendeve të punës pasi Katari shfuqizoi sistemin kafala.
Shumica e të intervistuarve përjetuan vonesa në proces, si dhe kërcënime, ngacmime dhe shfrytëzim nga sponsorët e tyre, me disa nga punëtorët, duke përfunduar në burg dhe në fund të dëbuar.

Qershor 2021
Një shtetas kenian, i arrestuar në Katar në maj dhe i akuzuar për “përhapje dhe keqinformim”, u lirua, por akuzat kundër tij nuk u hoqën.

22 tetor 2021
Katari inauguron stadiumin e pestë të turneut,” Al Thumama”.

16 nëntor 2021
Një raport prej 48 faqesh nga “Amnesty”, Reality Check 2021, deklaronte se praktika të tilla si mbajtja e pagave dhe detyrimi i punëtorëve për të ndryshuar vendin e punës, pavarësisht reformave.

30 nëntor 2021
Është zbuluar stadiumi “Ras Abu Aboud”, i njohur gjithashtu si “Stadiumi 974”.

19 janar 2022
Biletat për Kupën e Botës Katar 2022 dalin në shitje, me çmime për tifozët vendas që duan të marrin pjesë në ndeshje duke filluar nga 40 rial (11 dollarë). Më e lira për vendasit që nga Kupa e Botës 1986 në Meksikë.
Ndërkohë, Turqia njofton se do të dërgojë 3 mijë e 250 oficerë sigurie në Katar për Kupën e Botës dhe se Ankaraja ka trajnuar gjithashtu personelin e sigurisë të Katarit përpara garës.

1 prill 2022
Në kryeqytetin Doha u hodh shorti për Botërorin e Katarit 2022.

17 maj 2022
“Human Rights Watch” dhe “Amnesty International”, së bashku me tetë organizata të tjera të të drejtave të njeriut, i dërguan një letër Infantino-s duke i bërë thirrje FIFA-s dhe Katarit që të kompensojnë familjet e punëtorëve që vdiqën në përgatitjen e Kupës së Botës.

8 qershor 2022
Ish-presidenti i FIFA-s, Blatter dhe ish-shefi i UEFA-s, Platini, u liruan të dy nga akuzat për korrupsion nga një gjykatë zvicerane.

11 gusht 2022
FIFA njofton se Kupa e Botës do të fillojë një ditë më herët nga sa ishte planifikuar. Ndeshja hapëse mes Katarit dhe Ekuadorit do të zhvillohet më 20 nëntor. /Albanianpost.com