Shqipëria do të zhvillojë sot ndeshjen miqësore ndaj Arabisë Saudite. Takimi do të zhvillohet në Abu Dabi në orën 16:30 në stadiumin “Al Nahyan”.
Dje me grupin kuqezi janë bashkuar edhe pesë lojtarë, të cilët kanë qenë të impenjuar me klubet e tyre si Selmani, Kastrati, Balaj, Mitaj dhe Toli.
Ndërkohë, pas mbërritjes në Abu Dabi dhe akomodimit, skuadra ka zhvilluar një seancë teorike dhe video-analizë, ndërkohë në orën 18:00 ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore përpara miqësores, ku kanë qenë të gjithë futbollistët e ftuar të listës.
Kjo seancë është bazuar thuajse e gjithë në aspektin tekniko-taktik, ku Reja dhe stafi i tij kanë dhënë direktivat e fundit mbi qasjen që do të kenë në betejën e sotme në Abu Dabi.
FORMACIONI- Nën urdhrat e trajnerit Edi Reja, të gjithë lojtarët kanë zhvilluar seancën e fundit në prag të ndeshjes, ku edhe është provuar se si do të zbresin kuqezinjtë në fushë.
Sa i përket skemës, italiani i qëndron besnik 3-5-2-shit, ku ka luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet e Kombëtares.
Pas provave në seancën e fundit, tekniku 77-vjeçar ka projektuar edhe titullarët që do ta nisin me arabët. Në portë nga minuta e parë shihet Gentian Selmani, por gjithsesi mund të ketë edhe një ndryshim me Kastratin.
Në mbrojtjen me pesë lojtarë, Reja ka zgjedhur t’i besojë Albion Markut të Teutës nga e djathta, ndërsa treshja e qendrës do të formohet me Eneo Bitrin e Partizanit, Erdenis Gurishtën e Vllaznisë, Rudolf Turkaj i Laçit dhe krahun e majtë do ta mbulojë Andi Hadroj, i cili këtë sezon ka luajtur në krahun e djathtë me Partizanin, por në sezonin e shkuar ai ka mbuluar linjën e majtë.
Ndërkohë, në qendër të mesfushës llogariten Arbnor Muçolli i Vejles në Danimarkë, Ardit Deliu i Tiranës dhe Esat Mala i Vllaznisë. Ndërkaq, dyshja e sulmit pritet t’i besohet eksperiencës së Sokol Cikalleshit dhe dinamikës së Redon Xhixhës së Tiranës.
Po ashtu edhe lojtarët e stolit do të kenë mundësinë që të aktivizohen në këtë ndeshje, pasi për ta do të ketë minuta në pjesën e dytë.
Një gjë tepër e rëndësishme që u negociua është edhe numri i ndërrimeve që do të jetë pa limit, ndërkohë disi problem mbeten temperaturat e larta që pritet të jenë deri në 34 gradë.
Kështu, përveç titullarëve të zgjedhur, shansi do t’i jepet edhe pjesës tjetër të lojtarëve për të debutuar me fanellën kuqezi.