Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova dhe Serbia duhet të tregojnë se janë të gatshme të gjejnë zgjidhje në mënyrë konstruktive, dhe që të përmbushin obligimet që dalin nga dialogu i ndërmjetësuar prej Bashkimit Evropian në Bruksel, kanë thënë nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Sipas Ambasadës, të dyja palët duhet të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të mund të çonin në dhunë dhe përballje.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Ambasada ka thënë po ashtu se SHBA-ja pajtohet plotësisht me Bashkimin Evropian që tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet.
Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja është në linjë me BE-në edhe sa i përket kërkesës ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është në kontakt të vazhdueshëm me organet e sigurisë ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin në Kosovë. Ai ka thënë se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të komprometohen.
“Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara, dhe në këtë një vit e tetë muaj, sa jemi në qeverisje, kemi bërë avancimin më të madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sidomos në aspektin ekonomik”.
“Ato shkojnë bashkë me paqen dhe sigurinë. Nuk do të ketë, dhe nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup më të fuqishëm sesa shteti. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm në bazë të veprave të tyre penale”.
I pyetur për vendimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, Kurti ka përsëritur thirrjen e një dite më parë që serbët të mos veprojnë ashtu, sepse do të dobësojnë shërbimin për qytetarët.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë dobësojnë shërbimet për qytetarët.
Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.
Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.
“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj se të dëgjueshëm ndaj tyre janë pakrahasimisht më shumë strukturat e ndryshme ilegale, sesa qytetarët të vendit tonë, të cilët janë serbë”.
Në Mitrovicën e Veriut, të dielën, është mbajtur një protestë – e thirrur nga Lista Serbe – për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS – Republika e Kosovës. Kjo protestë është mbajtur një ditë pas vendimit të Listës Serbe për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.