Struga kampion i Maqedonisë së Veriut

Maqedonia e Veriut ka edhe një kampione shqiptare. Të dielën Struga ka siguruar titullin e kampionit në futboll. Është titulli i parë për klubin e themeluar vetëm tetë vjet më parë, në vitin 2015. Për Strugën është vetëm edicioni i katërt në elitën e Maqedonisë së Veriut, por tashmë është kampione.

Të dielën në kuadër të xhiros së 31-të, Struga fitoi 3:0 ndaj Sileksit. Dy xhiro para fundit, Struga udhëheq në tabelë me 62 pikë. Shkupi i vendit të dytë i ka 55 pikë e Shkëndija në vendin e tretë i ka 54 pikë. Pra gara për titull ishte mes skuadrave shqiptare.

Besart Ibraimi shënoi një gol për Strugën, ndërsa dy të tjerë i realizoi Bunjamin Shabani.

“Ëndrra bëhet realitet. Struga Trim&Lum kampione e Maqedonisë për herë të parë në histori. Urime për gjithë Strugën dhe tifozët tanë”, ka shkruar FC Struga. Shkupi fitoi 2:1 derbin ndaj Shkëndijës dhe kështu i mundësoi Strugës që ta festojë titullin dy xhiro para fundit.